Gjykata Ndërkombëtare Penale kërkon hetimin e “Mavi Marmara”

Në një komunikatë të shkruar zyra e avokatisë “Stoke&White” me seli në Londër e vlerëson si “fitore finale për viktimat” vendimin e Dhomës së Ankesave të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP), sipas të cilit Prokurori i Gjykatës duhet të rishikojë vendimin e mëparshëm për fillimin e hetimeve lidhur me rastin e agresionit të Izraelit në vitin 2010 ndaj anijes me emrin “Mavi Marmara”, e cila ishte pjesë e “Flotiljes së Lirisë” që lundronte drejt Gazës.

Komunikata rikujton se viktimat kanë më shumë se 9 vjet që kërkojnë drejtësi kundër agresionit izraelit.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) është instanca e fundit për viktimat që e kanë humbur besimin tek legjislacioni i brendshëm i një vendi të çfarëdoshëm, nënvizon komunikata dhe vijon kështu: “Prokurori i Gjykatës, i cili e ka konfirmuar edhe vet ekzistencën e shkaqeve të arsyeshme që tregojnë se forcat izraelite të sigurisë kanë kryer krime lufte gjatë bastisjes “Mavi Marmara”, duhet të nisë pa humbur kohë një hetim të plotë dhe zyrtar në lidhje me veprimet e Izraelit dhe përgjegjësinë penale të tij në kryerjen e veprimeve që shkaktuan vdekjen e më shumë se 10 aktivistëve të ndihmave humanitare, plagosjen apo keqtrajtimin e qindra të tjerëve”.

“Dhoma e Ankesave në vendimin e djeshëm të saj aprovoi se Prokurori duhet të respektojë ligjet gjatë trajtimit të viktimave dhe se nuk duhet të veprojë në mënyrë të njëanshme. Me këtë vendim janë ringjallur shpresat e të prekurve nga ky agresion se Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) do ta çojë drejtësinë në vend dhe se do të kërkojë llogari nga autorët”, -përfundon komunikata e shkruar e zyrës së avokatisë “Stoke&White” me seli në Londër që mbron viktimat e “Mavi Marmara”./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne