Gjykata Pezullon Punimet për Muzeun Hebraik në Vlorë, Qytetarët Njoftojnë Protestën e Radhës të Shtunën

*Vlorë, 16 tetor 2026* — Gjykata Administrative ka vendosur pezullimin e punimeve për ndërtimin e Muzeut Hebraik Shqiptar në Vlorë, deri në përfundimin e çështjes. Vendimi vjen pas disa javësh mobilizimi të grupit nismëtar dhe qytetarëve të Vlorës, të cilët kanë protestuar pranë Muzeut Etnografik — ish-Klubi Patriotik “Labëria” — duke kërkuar pezullimin e punimeve dhe shfuqizimin e vendimit të Bashkisë për lejen e ndërtimit në zonën historike të Muradies.

Protestuesit kanë ngritur shqetësimin për respektimin e legjislacionit mbi ndërtimin në zonat historike dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse.

Godina në qendër të kontestit, Monument Kulture i Kategorisë I, u themelua më 1908 me president nderi Ismail Qemalin dhe lidhet drejtpërdrejt me hapjen e shkollës së parë shqipe në Vlorë dhe me përgatitjet për shpalljen e Pavarësisë më 1912. Grupi nismëtar ka ngritur edhe shqetësimin për një dokument me firmë e vulë të Ministrisë së Kulturës, që ul Klubin Labëria nga Kategoria I në Kategorinë II — një veprim që heq mbrojtjen ligjore të brendshme të monumentit.

“Trashëgimia kulturore nuk matet me bukuri tregtare, por me autenticitet. Çdo ndërhyrje e re duhet ta nxjerrë në pah të vjetrën, jo ta mbulojë,” thotë arkitekti Elis Baba, i cili ka dokumentuar shndërrimin e zonës përmes pamjeve “para/pas” të projektit TID Vlorë të AADF-së.

Megjithëse çështja tashmë ka kaluar në rrugë gjyqësore, grupi nismëtar njofton se do të vazhdojë me protestën e 7-të javore radhazi pranë kantierit, nesër, të shtunën më 17 tetor 2026, ora 10:00.

Kërkesat e grupit nismëtar:

1. Respektim i plotë i vendimit të gjykatës dhe ndalim i çdo veprimi ndërtimor deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes;
2. Shfuqizim i vendimit të Bashkisë për lejen e ndërtimit në zonën historike të Muradies;
3. Inspektim i pavarur ndërinstitucional me pjesëmarrjen e ekspertëve të trashëgimisë kulturore, urbanistikës, arkitekturës e inxhinierisë;
2. Transparencë e plotë publike — vënia në dispozicion e gjithë dokumentacionit, studimeve, miratimeve e ekspertizave të projektit.

Për grupin nismëtar dhe qytetarët e Vlorës, mbrojtja e identitetit dhe respektimi i rregullave për ndërhyrjen në zonat kulturore mbeten në qendër të reagimeve.

Grupi fton të gjithë qytetarët, shoqatat e trashëgimisë kulturore dhe mediat të marrin pjesë në protestën e së shtunës dhe të bashkohen me kërkesën për mbrojtjen e identitetit dhe trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne