Gjykata vendos pro gazetares Tota në gjyqin kundër televizionit

Gjykata e Tiranës urdhëroi median e paditur nga gazetarja Alida Tota t’i paguajë kësaj të fundit detyrimet financiare, ndërsa nuk mori parasysh kërkesën për heqje të paarsyeshme nga puna, me argumentin e provave të pamjaftueshme.

Gjykata e Rrethit në Tiranë ka vendosur të pranojë dy nga tre kërkesat në çështjen gjyqësore të gazetares Alida Tota kundër ish-punëdhënësit të saj, televizionit A1 News, duke e detyruar këtë të fundit të shlyejë detyrimet financiare ndaj gazetares.

Me vendimin e saj të 3 tetorit, gjykata detyroi palën e paditur shoqërinë TV Ballkan sh.a. t’i paguajë gazetares Tota rrogat e prapambetura dhe pushimin vjetor.

Megjithatë, pretendimi kryesor i Totës për zgjidhje të kontratës së punës pa shkaqe të arsyeshme dhe si pasojë e censurës ndaj investigimit për landfillin e Sharrës, nuk u mor parasysh nga gjykata me arsyetimin se paditësja nuk ka arritur të japë prova përtej pretendimeve të saj dhe se televizioni i paditur ka respektuar afatet për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

“Gjykata çmon se të gjitha provat e paraqitura nga pala paditëse Alida Tota në gjykim, janë prova të cilat kanë si burim pretendimet dhe thëniet e paditëses Alida Tota. …Këto prova do të kishin vlerë në proces në rast se do të kishin pohime nga pala e paditur dhe të dhëna të tjera nga persona të tjerë të identifikuar në lidhje me rastin investigativ që po kryente paditësja Alida Tota”, u shpreh gjykata në vendim.

E kontaktuar nga BIRN gazetarja Tota e konsideroi vendimin e gjykatës një fitore të pjesshme.

“Beteja kundër censurës vazhdon pavarësisht kësaj fitoreje të pjesshme për lirinë e medias në Shqipëri dhe një homazh për fëmijën, i cili humbi jetën në landfill gjatë punës skllavëruese, që i siguronte kryetarit të bashkisë [së Tiranës] 8 milionë euro përfitime nga kontrata korruptive,” tha Tota për BIRN.

“Gjykata nën presion nuk arriti ta prekë ‘folenë’ e kontrollit mediatik në zyrën e kryebashkiakut me zgjatim në Kryeministri,” shtoi ajo, duke konfirmuar vazhdimin e procesit në Gjykatën e Apelit.

Në krah të gazetares Alida Tota, doli të mërkurën edhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, e cila lëshoi një deklaratë për shtyp, ku përgëzoi fitoren e pjesshme të gazetares, ndërsa e cilësoi largimin e saj nga puna si arbitrar.

“Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë inkurajon dhe mbështet kolegen Alida Tota në këtë betejë ligjore… Liria e medias është jetike për demokracinë”, – thuhet në deklaratë.

Alida Tota humbi vendin e punës në gusht të vitit 2016 dhe akuzoi kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj se pushimi i saj nga puna rridhte nga përpjekja e saj për të investiguar vdekjen e 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës. Pak javë më vonë, drejtuesi i emisionit Publicus në Vizion Plus Artan Rama deklaroi se transmetimi i programuar i një dokumentari investigativ mbi të njëjtën ngjarje qe bllokuar nga televizioni në fjalë dhe se ai kishte humbur vendin e punës. Veliaj mohoi akuzat për censurim pak ditë më vonë duke argumentuar se nuk ka prova se ai ka komunikuar me drejtuesit përkatës të televizioneve. Edhe televizioni Vizion Plus hodhi poshtë akuzat për censurim duke deklaruar se nuk qe në dijeni të përmbajtjes së emisionit të patransmetuar. Pavarësisht kësaj, gazetarë dhe opinionistë të ndryshëm bashkë me disa organizata ndërkombëtare për lirinë e shprehjes protestuan ndaj Veliajt duke argumentuar se Shqipëria po hyn në një fazë të re të censurimit dhe shtypjes së lirisë së fjalës./ reporter

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne