Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kërkohet nga Interpoli

Gjyqtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Radomir Laban është në listën e kriminelëve më të kërkuar nëpërmjet Interpolit.

Insajderi ka zbuluar se, Laban kërkohet që tri vjet nga autoritetet e Serbisë për të vuajtur dënimin prej gjashtë vjetësh për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe kontrabandën.

Autoritetet kompetente kosovare janë në dijeni se, Leban kërkohet nga Serbia, por nuk e kanë zbatuar urdhërarrestin për dy arsye: se është shtetas i Kosovës, dhe se Kosova nuk i zbaton urdhërarrestet e Serbisë, ka mësuar Insajderi.

“Z. Leban është në listën e të kërkuarve nga Serbia nëpërmjet Interpolit. Ne nuk e zbatojmë urdhërarrestin. Serbia e di këtë, sikurse e di edhe Interpoli”, i ka thënë Insajderit një burim në kushte anonimiteti.

Në Ministrinë e Drejtësisë dhe Policinë e Kosovës nuk kanë pranuar të flasin me arsyetimin se nuk u lejohet një gjë e tillë për rastet që lidhen me Interpolin.

Radomir Leban u zgjodh të premten gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ai mori 71 vota. Ndërkohë, në adresë të presidentit të Kosovës, kanë shkuar kërkesat e para që Leban mos të dekretohet.

Nuk dihet ende nëse presidenti do ta dekretojë apo refuzojë zgjedhjen e tij për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

Leban ishte arrestuar në Serbi në vitin 2006 dhe ishte dënuar me 6 vjet burgim si pjesë e “Mafisë doganore”. Ai ishte zbuluar se kishte kontrabanduar mallra.

“Mafia doganore”, pjesë e së cilës ishte Leban, gjatë kryerjes së kontrabandës me kamionë, kishin përdorur arsyetimin e kontrollit “të jashtëzakonshëm” dhe meqë ligji lejonte një gjë të tillë, mallrat futeshin me dokumentacion si “mallra në transit” dhe i dërgonin nëpër depo. Në këto depo i hiqnin të gjitha vulat dhe i shpërndanin mallrat nëpër Serbi.

Një mundësi tjetër ishte shkruar në dokumente se “mallrat do të dilnin prej Serbisë”, por në fakt ato nuk dilnin kurrë.

Pavarësisht faktit se Leban, kërkohet nëpërmjet Interpolit, ai është zgjedhur gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

Leban, për herë të parë ishte punësuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës në vitin 2012 si zyrtar ligjor.

Gjykata Kushtetuese ishte arsyetuar se kur Leban ishte punësuar, kishte dorëzuar një vërtetim të Gjykatës së Prishtinës me të cilin “dëshmonte se nuk ishte nën hetime apo nuk ishte i dënuar për ndonjë vepër penale”.

Në këtë vërtetim që mbante datën 23 tetor 2012, shkruante se kundër Radomir Lamanit nuk është “ushtruar aktakuzë e plotfuqishme, as nuk është gjykuar me Aktgjykim për vepër penale për të cilën është paraparë dënimi me burg në kohëzgjatje prej tri vjetësh, ose dënim me gjobë”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne