Rajoni

Gjysmëhëna e Kuqe Turke ndihmon nevojtarët në Kosovë për muajin e Ramazanit

Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka shpërndarë paketa me ndihma ushqimore për familjet nevojtare në Prizren, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e shpërndarjes së paketave nga Gjysmëhëna e Kuqe në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Kosovës, morën pjesë zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Gjysmëhënës së Kuqe Turke Mustafa Tutkun, konsullja e përgjithshme e Turqisë në Prizren, Eylem Altunya, drejtori për Ekonomi dhe Financa pranë Komunës së Prizrenit, Ertan Simitçi, si dhe përfaqësues të Kryqit të Kuq të Kosovës dhe disa organizatave të shoqërisë civile nga Turqia.

Zëvendësdrejtori i Gjysmëhënës së Kuqe Turke Tutkun tha për AA se ky institucion ndan ndihmat e Ramazanit për nevojtarët në 38 shtete.

“Me shpërndarjen e ndihmave që e filluam në qytetin e Prizrenit, ne do të përpiqemi të arrijmë deri te një mijë familje nevojtare turke, boshnjake dhe shqiptare në mbarë Kosovën gjatë tërë Ramazanit”, tha Tutkun.

Ndërkaq, konsullja e përgjithshme Altunya shprehu besimin se “aktivitetet humanitare të realizuara nga Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë në Prizren janë njëfarë mbështetësi i politikës së jashtme të humanitetit dhe sipërmarrësisë së Turqisë”.

Hadije Tadushka nga Prizreni, një nga nevojtaret e ndihmuara, shprehu falënderime për ndihmën e ndarë.

“Zoti qoftë i kënaqur me Gjysmëhënën e Kuqe Turke. Nuk na harrojnë çdo vit”, tha Tadushka.

Kujtojmë se Gjysmëhëna e Kuqe Turke do të ndajë paketa ushqimore për një mijë familje nevojtare në Kosovë./AA

OPINIONE