Gratë naftëtare-Edi Ramës: Ky është kushti që ne të lëmë grevën

Naftëtarët e Ballshit i janë përgjigjur edhe një herë në formë të prerë kryeministrit Rama: Nuk dalim që këtu nëse nuk na kalohen pagat, buka e fëmijëve!

“Ne nga greva nuk dalim. Kushdo që të vijë këtu, rrugën e ka të hapur. U bëj thirrje të gjithëve, ne nga greva nuk dalim.

Nuk bëjmë presione, duam pagat. Kur të shoh që fëmija im do vejë të blejë bukën, unë e ndërpres grevën urgjentisht,” thotë një prej tyre.

Kryeministri, shton grevistja, të shkojë në administratën e uzinës e të hidhen lekët e prapambetura.

“..dhe unë të iki në punë. Nuk kemi bukë për fëmijët o motra..”

Nga ana tjetër, naftëtare të tjera shprehen se kreu i qeverisë ulet në kafe e shkruan në rrjetet sociale, ndërsa duhej të ishte duke shkuar pranë tyre e t’u plotësonte kërkesat që të dalin.

Kryeministri Rama, në një postim të radhës në rrjetet sociale, u bëri sërish thirrje naftëtarëve që të lënë grevën dhe të flasin.

“Unë jo vetëm nuk po hesht por po përsëris çdo ditë: Ndalni grevën dhe ulemi diskutojmë për hallin tuaj!

Nuk ka negociata me presione e me ultimatume në një familje, po ka qarje halli me logjikë e me zemër të hapur! E thjeshtë: Dilni nga greva dhe do vij unë vetë tek ju menjëherë,” shkroi Rama./Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne