Greqi – 20 muaj burg për gazetarët turq që kritikuan emërimin e myftinjve

Cengiz Ömer, pronar i Gazetës “Millet” (Millet Gazetesi) me seli në Ksanthi, dhe Feyzullah Hasankaya, redaktor i gazetës, janë dënuar nga Gjykata Penale e Ksanthit pasi imamët e emëruar nga autoritetet greke në Ksanthi dhe Komotini, Mehmet Emin Şinikoğlu dhe Cemali Meço, kanë ngritur padi për fyerje në një shkrim të botuar në gazetë me autor Hasankahya.

Gjykata shqiptoi dënimin prej 20 muaj burg për Ömer dhe Hasankahya, të cilët u liruan nga një gjykatë më e lartë pas një ankese të parashtruar, me kusht për të mos kryejnë asnjë vepër penale në tri vitet e ardhshme.

Duke folur për agjencinë e lajme AA, Hasankahya tha se qeveria greke shkel gjithnjë të drejtat e pakicës myslimane turke të garantuara me traktate, duke shtuar se gazeta “Millet” u ballafaqua me padi vetëm për shkak se i ka aktualizuar këto shkelje përmes shtypit.

Ai tha se problemi i myftinjve në Trakinë Perëndimore është një nga “problemet kronike të pakicës turke në Greqi”.

“Po pengohet e drejta për të udhëhequr një institucion fetar, që është e drejtë themelore në kuadër të lirisë fetare dhe morale”, tha Hasankahya, duke vënë theksin mbi rëndësinë e institucionit të myftiut për myslimanët.

“Fatkeqësisht, qeveria greke në një mënyrë diktatoriale dhe pa u konsultuar me turqit myslimanë të Trakisë Perëndimore, imponon në krye të myftinisë persona të padenjë dhe të pakarakter, të cilët nuk aprovohen nga shoqëria”, shtoi Hasankahya.

Ai tha se gazeta sulmohet nga disa qarqe për shkak se shkruan për çështjet në fjalë.

“Ne nuk frikohemi dhe kurrë nuk do të heshtim. Do të aktualizojmë në çdo platformë deri në fund të gjitha të drejtat tona që burojnë nga traktatet ndërkombëtare…Allahu është ndihmës i të drejtëve”,- theksoi ai.

Ndërkaq, pronari i gazetës, Cengiz Ömer, përmes një mesazhi në rrjetet sociale në lidhje me padinë, e cilësoi atë si një “padi të llojit që do të ngelet në histori” për shkak të mënyrës së procedimit.

Ndryshe, Hasankaya në shkrimin e tij që shkaktoi ngritje e padisë, kishte shkruar se emërimi i myftinjve nuk është në përputhje me traktatet dhe ligjet për arsye se nuk zgjidhen me vota nga popullata myslimane, dhe si të tillë “nuk meritojnë të bartin titullin myfti”.

Çështja e zgjedhjes së myftinjve ka qenë problem i pakicës myslimane turke të Greqisë, e përqendruar në rajonin e Trakisë Perëndimore, që nga viti 1991.

Zgjedhja e myftinjve nga myslimanët në Greqi është rregulluar me Traktatin e Athinës të vitit 1913 ndërmjet Greqisë dhe Perandorisë Osmane dhe më pas u përfshi në Aktin Grek 2345/1920, para krijimit të Republikës së Turqisë.

Traktati i vitit 1923, Traktati i Paqes së Lozanës, gjithashtu garanton liritë fetare të pakicës myslimane në Greqi.

Megjithatë, Greqia e anuloi Aktin Grek në vitin 1991 dhe filloi ti emërojë vetë myftinjtë.

Shumica e turqve myslimanë në qytetet Komotini dhe Ksanthi nuk i njohin myftinjtë e emëruar dhe në vend të tyre zgjedhin myftinjtë e vet, por këta të fundit nuk njihen nga shteti grek.

Përkundër kësaj situate, myftinjtë e emëruar në Trakinë Perëndimore vazhdojnë të kenë autoritetin për të gjykuar në çështjet familjare dhe trashëgimore të myslimanëve vendas.

Turqia ka kohë që i është ankuar Greqisë dhe Bashkimit Evropian për diskriminimin ndaj pakicës turke në Trakinë Perëndimore, duke thënë se kjo gjendje është në kundërshtim me traktatet në fuqi dhe ligjet e BE-së.

Në rajonin e Trakisë Perëndimore të Greqisë jetojnë rreth 145 mijë turq myslimanë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne