GREQI – Një grupim anarkist sulmon rezidencën e ambasadorit amerikan

Persona të panjohur hodhën bojë sot në mëngjes, në hyrje të rezidencës së ambasadorit amerikan në Athinë, Geoffrey Pyatt.

Pjesëtarët e grupit iu afruan rezidencës me motoçikleta dhe u larguan menjëherë pas incidentit.

Policia ka ndaluar nëntë të dyshuar.

Ambasadori Pyatt shkruajti më pas në Tweeter: ”Mirëmëngjes (në origjinal ”kalimera” – greqisht), u zgjova për të parë këtë veprim vandal fëminor këtë mëngjes jashtë rezidencës dhe do të bashkëpunoj me policinë greke për të ndëshkuar fajtorët sipas ligjit. Shkatërrimi i pronës nuk është protestë paqësore”.

Ministria e Jashtme greke dënoi sot këtë akt vandal kundër rezidencës së ambasadorit amerikan në Athinë.

“Ne dënojmë ashpër aktin e sotëm vandal kundër rezidencës së ambasadorit të një vendi mik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është një veprim i papranueshëm dhe i papërgjegjshëm, që nuk do të ketë asnjë ndikim në miqësinë dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve; një bashkëpunim i bazuar mbi vlerat dhe parimet e përbashkëta për të mirën e dy popujve tanë”, thuhet në komunikatën e rastit të kësaj ministrie.

”Autoritetet kompetente greke po marrin të gjitha masat për dërgimin përpara drejtësisë të përgjegjësve të këtij sulmi”, theksonte ajo.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupimi anarkist ”Rubicon”./ATSh

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne