Bota

Greqia mbyll faltoren e muslimanëve me pretendimin se nuk posedon lejet e nevojshme

Një faltore e muslimanëve në qytetin Piraeus në afërsi të kryeqytetit të Greqisë, Athinë, është mbyllur me arsyetimin se nuk posedon lejet e nevojshme.

Zyrtarët sot vulosën derën e mesxhidit të quajtur “Andalusia”, e cila që nga viti 1989 për shkak të lokacionit mundësonte kryerjen e adhurimit edhe për turistët.

Muslimanët të cilët gjendeshin në mesxhid për t’i mbledhur sendet që gjenden aty, përjetuan momente me plotë emocione pas mbylljes së xhamisë.

Kryetari i Shoqatës së Muslimanëve të Greqisë, Naim Al Gadur në deklaratën për AA tha se “kjo faltore e cila 32 vite mundësonte që shumë muslimanë të kryejnë ritet e tyre fetare sot u mbyll me një vendim të marrë pa arsye”.

“Çka përfiton qeveria me mbylljen e kësaj faltoreje përderisa në Athinë nuk ka asnjë xhami zyrtare? Ashtu si mungesa e xhamisë, në Athinë për muslimanët nuk ka as varreza. Pse muslimanët janë të detyruar të trajtohen si qytetarë të klasës së tretë në këtë vend? A dëshirohet që muslimanët të urrejnë këtë vend?”, u shpreh ai duke kërkuar që në mënyrë të qartë t’u njoftohet se pse është marrë ky vendim.

Ndërkohë Shoqata e Muslimanëve të Greqisë në një deklaratë kishin theksuar se “Muslimanët, fatkeqësisht janë shumë larg nga barazia para ligjit”.

Muslimanët që jetojnë në Athinë, kryeqyteti i vetëm në Evropë që nuk ka xhami të hapur për adhurim, falin namazet në faltoret që i kanë formuar me mundësitë e veta.

Nga ana tjetër, xhamia e parë zyrtare ndërtimi i së cilës përfundoi, ende nuk hapet për adhurim për arsye të pengesave të ndryshme. Në xhaminë që u prezantua për gazetarët qershorin e vitit të kaluar, planifikohej që namazi i parë të falet në muajin shtator./AA

OPINIONE

INTERVISTA