Greqia nxjerr hartën ku do kërkojë naftë në detin Jon

Qeveria greke ka publikuar në numrin e fundit të Gazetës Zyrtare hartat dhe koordinatat gjeografike të zonave ku do të kryhen kërkime për hidrokarbure.
Në vendimin e nënshkruar nga Ministri i Energjisë, Jorgos Stathakis, janë bashkangjitur hartat e zonave detare në ishullin e Kretës, si dhe në afërsi të ishullit të Korfuzit.
Zona që përfshin detin Jon gjendet në hapësirën midis pjesës veriore të ishullit të Cefalonias dhe pjesës perëndimore të ishullit të Korfuzit. Më herët këtë muaj, qeveria greke shpalli tenderin përkatës.
Deri tani, janë dy subjektet që kanë shprehur interesimin e tyre. Konsorciumi Total-ExxonMobil dhe kompania vendase Hellenic Petrol, për zonën e Kretës dhe Energean Oil and Gas, për detin Jon.
Dy vitet e fundit Athina ka intensifikuar përpjekjet për vënien në eficencë të zonave detare ku mendohet se ka rezerva mjaft të pasura nafte dhe gazi.
Ndërkaq, ende nuk është operuar me zonën numër 1, që ndodhet në veriperëndim të ishullit Korfuzit, për shkak të problemeve që kanë rezultuar menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes për delimitimin e zonave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Marrëveshje që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe që vazhdon të mbetet një pikë mjaft e nxehtë fërkimi në raportet Athinë-Tiranë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne