Greqia solidarizohet me Shqiptarët, organizon fushata për mbledhjen e ndihmave

Në këto ditë kritike për vendin tonë, grekët po ndihen më të afërt se kurrë me shqiptarët. Ata kanë organizuar fushata solidarizimi për mbledhjen e ndihmave dhe vlerave monetare për të prekurit nga tërmeti.

Greqia ishte një nga vendet e para që iu gjendën pranë Shqipërisë menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit.

Gati çdo ditë prej vendit fqinj nisen ekipe specialistësh që të japin edhe ata kontributin e tyre në përballimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar.

Mund të duket e çuditshme, po ndër të parët që reaguan, ishin ultrasit e ekipeve më të mëdha të Greqisë. PAOK, AEK, Panathinaikos, Aris e të tjerë, përveç mesazheve të solidaritetit, organizuan edhe fushata për mbledhje ndihmash humanitare.

Atë që nuk e bënë dekadat e bashkëjetesës dhe fqinjësisë, duket se e ka bërë tërmeti. Grekët këto ditë ndihen shumë afër me shqiptarët dhe po dëshmojnë një frymë të lartë solidariteti.

Një ndër televizionet kryesorë të Greqisë, Skai, organizon të martën një fushatë të madhe për grumbullim ndihmash, që më pas do të dërgohen në Shqipëri.

Nën moton “Të gjithë bashkë mundemi për Shqipërinë”, televizioni Skai njofton se në gjithë Athinën do të jenë hapur tetë pika grumbullimi që do të funksionojnë nga ora 9-15.

Fushata të tilla po organizohen këto ditë në të gjithë Greqinë.

Edhe vetë shqiptarët e Greqisë u aktivizuan që në momentet e para duke mbledhur e dërguar ndihme në atdhe.

Mbështetja e Shqipërisë në këto momente të vështira i shërben Greqisë edhe për të dëshmuar aftësinë e menaxhimit të situatave emergjente, siç deklaroi kryeministri Mitsotakis në kongresin e partisë së vet, Demokracia e Re. /abcnews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne