Greva palestineze e urisë merr një kthesë dramatike

Më shumë të burgosur palestinezë po bashkohen me grevën e urisë masive, e cila hyri në ditën e saj të 26 të premten, me fushatën që mori përmasa globale mes përkeqësimit të kushteve shëndetësore të qindra grevistëve që vuajnë në burgjet izraelite.

Radioja Sawt al-Asra (Zëri i të Burgosurve) ka cituar burime anonime që thonë se rreth 100 palestinezë nga fraksione të ndryshme politike kanë vendosur të bashkohen me grevën e urisë.

Radio vlerësoi se rreth 1,800 të burgosur janë aktualisht duke marrë pjesë në grevë. Sidoqoftë, Klubi i të Burgosurve Palestinezë dha një shifër shumë më të lartë, duke thënë se më shumë se 3,000 të burgosur janë duke marrë pjesë në grevë.

Megjithatë, autoritetet izraelite kanë pohuar se më pak se 1,000 të burgosur po marrin pjesë në grevë.

Komiteti Qendror i Fatah, që konsiderohet si trupi më i lartë vendim-marrës i lëvizjes palestineze, bëri thirrje të enjten për të gjithë anëtarët e tij në burgjet izraelite për t’u bashkuar menjëherë me grevën e urisë.

Sipas Klubit të të Burgosurve Palestinezë, 1.000 të tjerë pritet të bashkohen pas thirrjes së Komitetit Qëndror.

Në Afrikën e Jugut, një numër ministrash të qeverisë, personalitetesh, aktivistësh dhe udhëheqësish politikë u zotuan të bashkohen me një agjërim 24-orëshe në solidaritet me palestinezët.

Sipas rrjetit solidar të të burgosurve palestinezë, Samidoun, aktivistë nga SHBA-ja, Franca dhe Belgjika kanë nisur një grevë të shkurtër urie në solidaritet me të burgosurit palestinezë.

Lëvizja për Bojkot, Shkarkim dhe Sanksione kundër Izraelit në Afrikën e Jugut (BDS Afrika e Jugut) u bashkua me thirrjen për agjërim nga organizata të tjera solidare.

Lista e atyre që kanë premtuar mbështetjen e tyre për agjërimin përfshin Ministrin e Shëndetësisë Aaron Motsoaledi, Ministren e Komunikacionit Ayanda Dlodlo, Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Rob Davies dhe Ministrin e Zhvillimit Ekonomik Ebrahim Patel.

Në një deklaratë, zëdhënësi i BDS-së, Këara Kekana tha: “Aktualisht janë mbi 6,500 të burgosur politikë palestinezë të ndaluar nga Izraeli. Gjatë 50 viteve të fundit, më shumë se 800,000 palestinezë janë burgosur ose ndaluar nga Izraeli (rreth 40% e të gjithë burrave palestinezë që jetojnë nën pushtim kanë qenë ndaluar në një farë mënyre nga Izraeli.) Pothuajse çdo familje palestineze është prekur nga burgosja izraelite e një të dashuri.”

Ndërkohë, Komiteti Kombëtar për Mbështetjen e Grevës thirri të enjten një “ditë zemërimi” në të gjithë territorin e pushtuar palestinez.

Përkeqësimi i kushteve shëndetësore

Të enjten, Komiteti Palestinez i Çështjeve të të Burgosurve paralajmëroi rreth kushteve “tragjike” shëndetësore të grevistëve të urisë, pasi të burgosurit përjetuan dehidrim të rëndë, dhimbje stomaku, dhimbje koke, aritmi dhe presion të ulët të gjakut.

Komiteti tha se situata e grevistëve të urisë është në një nivel të “rrezikut ekstrem”, pasi shumica e tyre kanë humbur ndërmjet 15 dhe 25 kilogramë, ndërsa disa prej tyre kanë filluar të vjellin gjak.

Ndërkohë, zëdhënësi i Qendrës për Studime të të Burgosurve Palestinezë, Riyad al-Ashqar, tha se autoritetet e Shërbimit të Burgjeve të Izraelit (SPI) në qendrën e paraburgimit Ketziot kanë refuzuar të transferojnë dhjetëra grevistë urie në spitale dhe i kanë mbajtur ata në ambulancë.

SPI gjithashtu është duke u bërë presion të burgosurve për t’i dhënë fund grevës së tyre të urisë në këmbim të marrjes së kujdesit mjekësor, tha Ashshar.

Zyrtarët e SPI-së gjithashtu gjithashtu kanë bllokuar disa dritare të qelive për t’u mohuar grevistëve të urisë dritën e diellit.

Grevistët po kërkojnë të drejta themelore, të tilla si dhënia fund e politikave të paraburgimit administrativ, të izolimit të vetmuar dhe të neglizhencës së paramenduar mjekësore.

Paraburgimi administrativ aq shumë i kritikuar është një politikë sipas së cilës të burgosurit palestinezë mbahen në qendrat e paraburgimit në Izrael pa gjyq ose akuza.

Në vitin 2012, një grevë e ngjashme urie, që përfshinte rreth 2,000 palestinezë, përfundoi pasi u arrit një marrëveshje me autoritetet izraelite për të ndërprerë politikën e burgimit pa gjyq ose akuzë.

Pothuajse 700 të burgosur janë aktualisht të mbajtur në paraburgim administrativ. Disa nga të burgosurit janë mbajtur në burg sipas politikës deri në 11 vjet. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress