Grevistët palestinezë i shkruajnë letër Papës

Të burgosurit palestinezë që po qëndrojnë akoma në grevë urie, i kanë shkruar letër Papa Françeskut, duke i kërkuar që menjëherë të marrë një qëndrim kundër regjimit izraelit në lidhje me vuajtjet e të burgosurve palestinezë.

Kjo letër-ankesë u dërgua nga Fadua Barghouti, gruaja e kreut të grevës së urisë Maruan Barghouti, në një takim me krerët e Kishës Katolike në Ramallah. Vatikani e ka njohur Palestinën shtet të pavarur. Letra i bëri thirrje Papa Françeskut të flasë për çështjen e grevës së urisë “për të ndihmuar në shpëtimin e jetës së bijve, bashkëshortëve dhe etërve, për të folur për gratë dhe fëmijët në burgjet izraelite, për të folur për këtë tokë të shenjtë që është përdhosur nga okupimi, diskriminim, segregacioni dhe aparteidi, ndërkohë që duhet të jetë një vend i pluralizmit”. “Shpresoj që ky mesazh të arrijë dhe të mund të ndërhysh para se të jetë tepër vonë,” shkroi Barghouti. Që nga 17 prilli, më shumë se 1,600 të burgosur palestinezë janë bashkuar me aksionin e protestës, të quajtur Liri dhe Dinjitet, e cila fillimisht u thirr nga Barghouti, një ish udhëheqës i lëvizjes Fatah. Grevistët po kërkojnë të drejta themelore të tilla si fundi i politikave të paraburgimit administrativ, izolimi i vetmuar dhe neglizhenca e paramenduar mjekësore. Paraburgimi administrativ shumë i kritikuar është një politikë sipas së cilës të burgosurit palestinezë mbahen në qendrat e paraburgimit në Izrael pa gjyq ose akuza. Letra thotë se aktualisht ka 6500 palestinezë në burgjet e Izraelit, duke përfshirë 300 fëmijë dhe 57 gra, 13 ligjvënës dhe 500 të burgosur administrativë. “Gjykatat izraelite janë një mjet për shtypje dhe jo për drejtësi, veçanërisht gjykatat ushtarake izraelite, ku shkalla e besimit është midis 90 dhe 99 për qind”, shkroi Barghouti.

Letra më tej tha se greva e urisë është nisur për shkak të mungesës së të drejtave më themelore në objektet e burgjeve izraelite, duke shtuar se të burgosurit duan “t’i japin fund veprimeve arbitrare dhe ndëshkuese, torturës dhe abuzimit, neglizhencës mjekësore të qëllimshme”. “Ata po rrezikojnë jetën e tyre për të arritur atë që kanë të drejtë. Ata janë viktima të ndëshkimit kolektiv nga Izraeli dhe janë braktisur nga bota”, vuri në dukje Barghouti. Të mërkurën, avokati Khader Shkirat tha se Shërbimi i Burgjeve të Izraelit anuloi papritur ankesën e tij të planifikuar për Barghouti dhe shprehu shqetësim për klientin e tij, i cili është mbajtur në izolim që nga 17 prilli. Zëdhënësi i shërbimit të burgut Asaf Librati nuk ka dhënë asnjë shpjegim për anulimin e ankesës. Ndërkohë, Komiteti Kombëtar për Mbështetjen e Grevës së Urisë të të Burgosurve të Palestinës i bëri thirrje Autoritetit Palestinez të pezullojë zgjedhjet komunale që do të mbahen të shtunën dhe të ndalojë koordinimin e tij të kontestuar të sigurisë me Izraelin, njoftoi agjencia e lajmeve Ma’an. Në vitin 2012, një grevë e ngjashme urie, që përfshinte rreth 2,000 palestinezë, përfundoi pasi u arrit një marrëveshje me autoritetet izraelite për të ndërprerë politikën e internimit pa gjyq ose akuzë. Të burgosurit palestinezë rregullisht mbajnë greva urie në shenjë proteste ndaj politikës administrative të burgimit dhe kushteve të ashpra të burgjeve. Pothuajse 700 të burgosur janë aktualisht duke u mbajtur në paraburgim administrativ. Disa nga të burgosurit janë mbajtur në burg sipas politikës deri në 11 vjet./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne