“Gropën” në buxhet e shkaktuan Doganat, por Rama “flijoi” drejtorin e Tatimeve (Detajet)

Pak ditë më parë, qeveria shkarkoi nga detyra ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Enton Duron, me arsyetimin se përkundër pritshmërive, nuk kishte përmirësuar rezultatin e grumbullimit të të ardhurave buxhetore. Megjithatë, të dhënat e publikuara së fundmi nga ministria e Financave, tregojnë qartazi se përgjegjëse për “gropën” e krijuar në buxhet për shkak të mosrealizimit të planit, është Drejtoria e Doganave.

Bazuar në shifrat indikative, shihet se gjatë gjashtëmujorit të ardhurat tatimore ishin 6.1 % më të larta se njëjta periudhë e një viti më parë, ndërsa ishin -1.3% më të ulta se plani i periudhës. Ndërsa të ardhurat nga doganat u rritën gjatë të njëjtës periudhë me vetëm 0.6 % , teksa shënuan një mosrealizim në raport me planin rreth 4.4%. Rrjedhimisht, “Doganat” nuk mblodhën rreth 3.5 miliardë lekë në raport me planin, që përkthehen në 28 milionë euro, ndërsa “Tatimet” nuk e realizuan planin për periudhën me 937 milionë lekë ose 7.4 milionë euro.

Sipas statistikave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave, të ardhurat që janë mbledhur nga Tatimet, Doganat, Sigurimet Shoqërore etj, në 6 muajt e parë të vitit ishin 225.5 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, këto të ardhura janë rritur me 3.9% (+8.4 miliardë lekë), të ndihmuara nga tatimi mbi të ardhurat personale, tatim fitimi, taksat vendore, kontributet e sigurimeve shoqërore.

Në raport me planin, të ardhurat janë 3.6 miliardë lekë, ose 30 milionë euro më pak, që mungojnë nga planifikimi fillestar i buxhetit. Mosrealizimi i planit u citua pikërisht nga kryeministri Edi Rama, si arsyeja kryesore për shkarkimin e Duros, që drejtoi këtë institucion për tre muaj dhe zëvendësimin e tij me ish-drejtoreshën e INSTAT, Delina Ibrahimin.

Në këtë kontekst, kreu i qeverisë njoftoi dhe nisjen e një aksioni të rreptë anti-informalitet. “Prej thuajse një viti jemi përpjekur me qasjen sensibilizuese, informuese, këshilluese të biznesit në raport me detyrimet tatimore, duke minimizuar qasjen ndëshkimore. Tani boll me konkurrencën e paligjshme dhe me hilerat në kurriz të konsumatorit!”- ka paralajmëruar Rama./lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne