Bota

Grupet palestineze: Izraeli edhe me ligj krijon sistem aparteid

Grupet palestineze kanë dënuar miratimin e ligjit të ashtuquajtur “Shteti Çifut” dhe e kanë cilësuar atë krijim me ligj të sistemit aparteid.

Said Arikat, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, ka dënuar ashpër miratimin e këtij ligji dhe ka thënë se Izraeli arriti të bëjë legjitim sistemin racist aparteid. Ky ligj është trashëgimi e kolonializmit dhe është i bazuar mbi pastrimin etnik duke shkelur me qëllim të drejtat e një populli autokton të një vendi.

Jusef Al-Hasajne, funksionar i lartë i lëvizjes Xhihadi Islamik i Palestinës në reagim ndaj kësaj çështje, ka theksuar se miratimi i këtij ligji, në radhë të parë është i mbushur me racizëm dhe urrejtje racore. Miratimi i këtij ligji nuk lë asnjë dyshim se regjimi sionist do të vazhdojë rrugën për zhdukjen e palestinezëve në territoret e pushtuara në vitin 1948 dhe njëkohësisht po përgatitet për uzurpimin e më shumë tokave në Bregun Perëndimor të Lumit Jordan për zgjerimin e kolonive sioniste.

Feozi Barhum, zëdhënësi i Rezistencës Islamike të Palestinës, HAMAS, ka deklaruar se miratimi i ligjit “Shteti Çifut” synon t’i japë legjitimitet në mënyrë zyrtare racizmit izraelit, synon goditjen e rrezikshme të palestinezëve, zhdukjen e të drejtës së tyre në tokën e vet dhe plaçkitjen dhe uzurpimin e pronave dhe pasurive të popullit palestinez. Nëse nuk do të ishte heshtja rajonale dhe ndërkombëtare ndaj krimeve të regjimit pushtues dhe mbështetje e pakufishme e Amerikës ndaj tij, nuk do të miratoheshin ligje të tilla. Miratimi i ligjeve të tilla nuk do të frikësojë popullin e Palestinës dhe ai do të vazhdojë rezistencën e vet sepse është zot i këtij vendi./ PT

OPINIONE