Grupi Huthi mirëpret qëndrimin e princit saudit mbi luftën në Jemen

Grupi rebel Huthi i Jemenit ka mirëpritur njoftimin e princit saudit të kurorës, Muhammed bin Salman, në të cilën ai shprehu shpresën për gjetjen e një zgjidhje politike të konfliktit pesë-vjeçar në Jemen.

“Optimizmi i bin Salman rreth dhënies fund të luftës është pozitiv”, është shprehur anëtari i këshillit politik të grupit, në një deklaratë

të cituar nga agjencia e lajmeve Saba që drejtohet nga Huthit.

“Kthimi i diskutimeve në negociata kërkon (nga sauditët) të tregojnë seriozitet dhe të angazhohen në mënyrë reale pa asnjë diktim”, tha ai. Në një intervistë për CBS News të hënën, bin Salman tha se Arabia Saudite është e hapur për çdo nismë për zgjidhje politike në Jemen.

“Së pari, nëse Irani ndërpret mbështetjen për milicinë Huthi, zgjidhja politike do të jetë shumë më e lehtë. Sot ne jemi të hapur për çdo nismë për zgjidhje politike në Jemen. Shpresojmë që kjo të ndodh sot më mirë se nesër”, tha ai.

Jemeni është përfshirë nga lufta civile që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Konflikti u përshkallëzua edhe më tej kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë, përfshirë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, filluan një fushatë masive ajrore që synonte pengimin e avancimit të rebelëve Huthi.

Dhuna e vazhdueshme ka shkatërruar infrastrukturën themelore të Jemenit, duke bërë që OKB-ja ta përshkruajë situatën si “një nga katastrofat më të këqija humanitare të kohërave moderne”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne