Shqiperia

Grupi i PS shpërthen kundër LSI: Na vjen turp të dalim para njerëzve, as në kohën e Berishës…

Shtesa e fondeve për përfundimin e rrugës Tiranë-Elbasan ka përplasur në Komisionin e Ligjeve deputetët e Partisë Socialiste me përfaqësuesit e Ministrisë së Transporteve, që drejtohet nga LSI. Deputetët e PS, Pandeli Majko, Bashkim Fino dhe Tom Doshi, e kanë quajtur si abuzim shtesën prej 35 milionë dollarësh për të përfunduar katër kilometra në rrugën Tiranë-Elbasan. Debatet për rrugët janë bërë dhe në mbledhjen me dyer të mbyllura të Grupit të PS, Erjon Braçe ka kërkuar që Ministria e Financave të mos e marrëveshjen për rrugën e Elbasanit, pasi ajo mund të rrëshqasë sërish, shkruan “Panorama”. Ndërsa deputetët e tjerë të PS janë ankuar për shumën e lartë të fondeve, duke thënë se në zonat e tyre nuk është investuar kaq shumë.

Debati me dyer të mbyllura

Pirro Lutaj: Në Komisionin e Ligjeve, Ministria e Transporteve ka çuar një projektligj, përmes të cilit kërkon miratimin e shpenzimeve prej 35 milionë eurosh për 4 kilometra rrugë. Bëhet fjalë për rrugën Tiranë- Elbasan. Dua të di si ka mundësi që jepen kaq lehtë gjithë këto para nga buxheti i shtetit dhe ne bëhemi rezil me elektoratin në zonat tona për investime minimale?

Erjon Braçe: Unë mendoj se Ministria e Financave nuk duhet të lejojë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, pasi kjo rrugë do të duhej të ishte bërë nga qeveria Berisha. Por, përveç kësaj, specialistët shprehen se, edhe pse mund të bëhet ky investim, pa ndryshuar projektin, rruga mund të rrëshqasë përsëri.

Arben Ahmetaj: E ke gabim Erjon, kjo marrëveshje nuk është përgjegjësi e Ministrisë së Financave, pasi puna e saj është vetëm të vlerësojë i ka apo jo aq para për të financuar. Nuk mund të merremi me projektin.

Gramoz Ruçi: Atëherë shokë, unë them ta mbyllim këtë diskutim.

Xhemal Qefalia: O shoku Gramoz, si ta mbyllim?! Ne nuk sqaruam asgjë. As në kohën e Berishës nuk janë bërë të tilla gjëra. Na vjen turp të dalim përpara njerëzve, që kërkojnë projekte për komunitetin.

Taulant Balla: Kjo çështje duhet diskutuar në komision.

/syri

Etiketa

OPINIONE

INTERVISTA