GRUPI I “SHQIPONJAVE”, MISIONI NË SHQIPËRI

Xhafer Sadiku 

Në qershor 1944, amerikanët dërguan në Shqipëri grupin e dytë të “Shqiponjës” në përbërje të cilit ishin 22 djem me në krye komisarin e grupit Sinan Gjoni. Grupi ishte organizuar si një çetë të veshur si partizanë dhe mbante yllin e kuq.

Amerikanët ishin në dijeni se Lëvizja Nacional-Çlirimtare ishte përhapur në krejt Shqipërinë e Jugut, ndërsa në atë të Veriut, deri në atë periudhë, nuk kishte mundur të hidhte baza. Për këtë arsye, Fultzi mendoi që djemtë të shkonin në Veri dhe të niseshin nga ana e Jugosllavisë. Këta do të niseshin si partizanë shqiptarë dhe, si të hynin në Shqipëri, do të vendosnin kontakte me misionet amerikane, të cilat ishin në Shqipërinë e Jugut. Prej tyre do të furnizoheshin me radio dhe me materialin që u nevojitej dhe pasi të merrnin pëlqimin e Shtabit të Përgjithshëm të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, do të fillonin nga puna që u ishte ngarkuar dhe do të mbanin në korrent qendrën në Bari, për zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri.

Fultzi e kishte biseduar çeshtjen më parë me eprorët e tij në Shërbimin Strategjik të Ballkanit (S.B.S.) dhe kishte marrë pëlqimin e tyre. Kur vullnetarët u nisën për në Shqipëri Fultzi u mbajti një fjalim përcjellës, duke u thënë që ky udhëtim ishte krejt me vetdashje dhe ata që s’donin të niseshin tani, do të çoheshin prapë në kampin e refugjatëve. Pastaj shtoi se, Amerikanët ishin miqtë e Shqipërisë dhe shpresonin që miqësia të bëhej edhe më e fortë. Kjo do të varej në punën që ata do të bënin në Shqipëri. Shqipëria, tha ai, do të çlirohet dhe do të lihet e lirë të vetvendosë fatin e saj, në bazë të Kartës së Atlantikut. Por, theksoi Fultzi, stabilizimi i paqes nuk është i thjeshtë dhe mua më duket se Shqipëria ka për të patur nevojë për miqtë në Konferencën e Paqes.

Ne do të qëndrojmë miqtë e Shqipërisë, po të na konsideroni miq dhe po të keni relacione të mira me ne. Juve që po nisi tani, – përfundoi ai, – mund të bëni shumë për të përforcuar miqësinë midis amerikanëve dhe vendit tuaj.

Përgjigjen, në emër të grupit, i’a dha Sinan Gjoni, duke e siguruar Fultzin se, ata do të bënin ç’ishte e mundur për të përforcuar miqësinë midis Shqipërisë dhe Amerikës dhe mësimet që kishin marrë në atë kurs nuk do të shkonin kot.

Mbërritjen e grupit në Shqipëri e njoftoi Thoma Stefani, kryetar i Misionit Amerikan në Shqipëri. Ai lajmëroi se kishin arritur një grup prej 16 persona. Pas dy javësh Thoma Stefani informoi përsëri se kishte takuar në Odrican Sinan Gjonin dhe Galip Hatibin, të cilët i kishin treguar mbi peripecitë e udhëtimit. Në një përpjekje me gjermanët, rrugës për në Shqipëri, katër prej tyre u vranë, ndërsa dy u kthyen përsëri në Bari.

Me të ardhur në Shqipëri, ashtu si grupi i Hasan Reçit edhe grupi i Sinan Gjonit, u shpërndanë nëpër njësitet partizane. Shumë prej tyre treguan trimëri dhe u graduan e morën përgjegjësi të rëndësishme në organet e pushtetit që doli pas lufte. Kështu, Hasan Reçi u gradua kapiten dhe në Kongresin e Përmetit u zgjodh antar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Nacional Çlirimtar.

____________

Burimet:
AMPB (AIDSSH), Misioni Anglo-Amerikan në Shqipëri.
Procesverbalet e dëshmive të Lazar Papapostolit (Lary Post) në hetuesi.
Historiku i Sigurimit të Shtetit, vëllimi 1.

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne