Grupi opozitar sirian zotohet të pastrojë terroristët

Kreu i grupit opozitar në Siri ka deklaruar se do të pastrojë pjesën lindore të lumit Eufrat nga terroristët ashtu siç pastruan pjesën perëndimore të lumit nga DEASH-i.

Në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency (AA), sekretari i mbrojtjes i qeverisë së përkohshme siriane dhe kryetar i Ushtrisë Kombëtare Siriane (SNA), Selim Idris, thotë se ata janë të gatshëm për një operacion në lindje të Eufratit.

SNA është e përbërë nga grupe të ndryshme opozitare të mbështetur nga Turqia.

Idris theksoi se toka në lindje të lumit Eufrat është pjesë e Sirisë.

“Këto toka aktualisht janë nën kontrollin e SDG-së, e cila përfshin kryebanditët e PKK/PYD-së. Këta terroristë pushtuan shtëpitë tona. Kthimi i njerëzve të zhvendosur në shtëpitë e tyre dhe pastrimi i tokës së tyre nga terroristët janë detyrat tona kryesore në këtë pikë”, tha Idris.

Ai theksoi se grupet e terrorit duan të ndajnë Sirinë, si dhe kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e Turqisë.

“Pastrimi i shtëpive tona nga terroristët është një qëllim që ne e ndajmë me vëllezërit tanë turq”, shprehet Idris.

Idris po ashtu iu drejtua banorëve të rajonit që u duhet të jetojnë nën pushtimin e organizatës terroriste YPG/PKK.

“Ne u tregojmë njerëzve tanë atje se organizatat terroriste separiste PKK dhe PYD nuk janë ndryshe nga DEASH-i. Ata erdhën për të ndarë vendin tonë, ata shkatërruan gjithçka”, shtoi ai.

Idris më tej theksoi se SDG-ja, regjimi i Assad-it dhe DEASH-i vepruan së bashku kundër revolucionit sirian.

“Ne kemi parë se si DEASH, duke vepruar në partneritet me regjimin e Assad-it, u tërhoq pa luftuar SDF-në”, tha ai.

Revolucioni sirian filloi kundër shtypjes së një diktature, tha Idris, duke shtuar se vendet perëndimore nuk arritën të mbështesin kauzën e tyre, por ata mbështetën organizatat terroriste në Siri.

“Ne u kërkuam vendeve të botës së lirë të mbështesin luftën tonë dhe të na shpëtojnë nga ky regjim. Megjithatë, ata hoqën dorë nga parimet e lirisë në të cilat besuan dhe zbatuan planet e tyre duke çuar në prolongimin e krizës”, theksoi Idris.

Që nga viti 2016, operacionet “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit” në veriperëndim të Sirisë kanë çliruar rajonin nga terroristët e YPG/PKK-së dhe DEASH-it, duke u mundësuar sirianëve që shpëtuan nga dhuna të kthehen në shtëpitë e tyre.

Turqia që moti ka denoncuar kërcënimin nga terroristët në lindje të Eufratit në veri të Sirisë, duke u zotuar për veprime ushtarake për të parandaluar formimin e një “korridori terrorist” atje.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e organizatës terroriste PKK./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne