Guterres: Bota është kthyer në Luftën e Ftohtë

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, tha se beson që bota po kalon përmes një Lufte të re të ftohtë.

“Mendoj se bota vëren qartë se Lufta e Ftohtë u kthye në skenë. Megjithatë, ka një dallim në mes kësaj për të cilën jemi dëshmitarë dhe Luftës së Ftohtë nga e kaluara”, tha Guterres, në një intervistë për televizionin suedez SVT.

Duke theksuar se SHBA dhe Rusia sot nuk kontrollojnë mbarë botën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha se sot ka edhe aktor të tjerë mjaft aktiv si Turqia, Irani dhe Arabia Saudite.

“Është e qartë se sot nuk ka dy blloqe homogjene dhe mirë të kontrolluara”, tha Guterres, duke shtuar se dallimi tjetër është se sot nuk ka mekanizëm të dialogut të cilat në kohën e Luftës së fundit të Ftohtë kanë shërbyer si mekanizëm kontrolli për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.

Guterres shprehu gjithashtu kënaqësi për faktin se situata u qetësua pas ngjarjeve të javës së kaluar në Siri.

“Shpresoj se do të gjendet konsensus ashtu që tensionet e javës së fundit të mos përsëriten”, përfundoi Guterres.

SHBA, Britania e Madhe dhe Franca javën e kaluar kryen sulme me raketa në Siri pa miratimin e Këshillit të Sigurimit. Këto vende kryen sulme në përgjigje të përdorimit të armëve kimike në Duma, ndërsa Rusia sulmet i quajti si agresion kundër sovranitetit sirian. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne