Guterres Izraelit dhe Hamasit: Larg “pragut të një konflikti tjetër shkatërrues”

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, duke folur për rritjen e tensionit midis Izraelit dhe Palestinës, tha se të gjitha palët duhet tërhiqen nga “pragu i një konflikti tjetër shkatërrues”.

Guterres në një deklaratë me shkrim ka shprehur shqetësim të thellë për përshkallëzimin e rrezikshëm të dhunës dhe tensioneve të ditëve të fundit.

Duke i bërë thirrje Hamasit dhe grupeve të tjera palestineze t’i japin fund hedhjes së raketave dhe provokimeve të tjera në kufi, si dhe Izraelit që të shfaqë vetëpërmbajtje maksimale për t’u distancuar nga nxitjet e mëtejshme, Guterres tha se “Të gjitha palët duhet të hedhin hap prapa për t’u tërhequr nga pragu i një konflikti tjetër shkatërrues”.

Guterres u ka bërë thirrje palëve të punojnë me OKB-në dhe Koordinatorin e Posaçëm të OKB-së për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme Nickolay Mladenov për t’i dhënë fund kësaj situate të rrezikshme.

“Përshkallëzimi i mëtejshëm i tensioneve do të rrezikojë jetën e palestinezëve dhe izraelitëve, do të thellojë katastrofën humanitare në Gaza dhe do të minojë përmirësimin e kushteve jetësore dhe përpjekjet për të mbështetur kthimin e autoritetit palestinez në Gaza”, ka shtuar shefi i OKB-së. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne