Habit kryebashkiaku Kapllanaj, zbukuron qytetin pas Krishtlindjeve

Teksa janë orët e fundit të ndërrimit të viteve, Bashkia e Mallakastrës ka marrë një vendim për të zbukuruar qytetin për Vitin e Ri më datë 29 dhjetor. Deri më tani, të gjitha qytetet kanë filluar zbukurimet që në datën 6 dhjetor, kur është hapja zyrtare e festave të fundvitit, ndërsa zbukurimet do të qëndrojnë deri më datë 6 janar. Pra, për një periudhë 1 mujore. Por, krejt e kundërta ndodh në Mallakastër, ku kryetari synon që t’i vendosë më datë 29 dhe do i mbajë zbukurimet vetëm 1 javë.

Tpz.al ka siguruar dokumentet e këtij tenderi, me fond limit prej 7 milion lekë të vjetra pa TVSH, ose rreth 8.5 milion lekë me TVSH, me objekt “blerje materiale zbukurimi për festat e fund vitit”.

Data e zhvillimit të procedurës së prokurimit do të jetë sot, më datë 28 dhjetor 2017 ora 08:00. Sipas dokumentacionit të tenderit, kërkohen shirit llamba led me 100 llamba, gjatësia 10 m, drita me llamba led me gjatësi 10 m, yje dekorativ led me gjatësi 4 m, set topa dekorative të ndryshme, lule dekorative me kapse, fjongo dekorative, drer dekorativ i madh, karrocë dhe gardh për rrethimin e pemës së Vitit të Ri.

Sipas dokumentit, operatori ekonomik krahas furnizimit duhet dhe të kryejë instalimin e tyre në kohë rekord. “Operatori ekonomik i renditur i pari, duhet të paraqitet pranë autoritetit kontraktor deri datën 29 dhjetor 2017 ora 08:00. Afati i lëvrimit të mallit do të jetë menjëherë pas firmosjes së kontratës, pra në datën 29”-thuhet në dokumente.

Më herët, Tpz.al publikoi një tjetër tender të kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, i cili kishte porositur një aparat fotografik me vlerë 8 milion lekë, për të kuruar imazhin e tij.

Tpz.al do të vijojë të monitorojë tenderat publikë të çdo zyrtari lokal apo qeveritar, për të pasqyruar çdo shkelje, abuzim apo dhe shpenzim të pajustifikuar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne