“Haftari ka për qëllim të krijojë diktaturë ushtarake në Libi”

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë përmes një deklarate është shprehur se veprimi i njëanshëm i kryekomandantit renegat Khalifa Haftarit për të shpallur veten sundimtar i Libisë “ka zbuluar edhe një herë se ai synon të krijojë një diktaturë ushtarake në vend”.

Në deklaratë Ankaraja zyrtare shpreh dëshirën për një zgjidhje politike të konfliktit dhe shpreh mbështetje për popullin libian.

“Me këtë deklaratë, Haftar zbuloi edhe një herë se nuk dëshiron që kriza në Libi të zgjidhet përmes dialogut politik, se ai nuk mbështet përpjekjet ndërkombëtare në këtë drejtim, përfshirë rezultatin e Konferencës së Berlinit dhe synon të krijojë një diktaturë ushtarake në vend”, thuhet në deklaratë.

Nga ministria thonë se Haftar “thelloi më tej situatën humanitare” me sulmet e tij në Libi për më shumë se një vit.

Gjithashtu thuhet se Haftar bllokoi prodhimin e naftës, furnizimin me ujë dhe madje “parandaloi furnizimin me pajisje mjekësore të nevojshme për popullin libian” gjatë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

“Ky person, pa dyshim, synon të krijojë një regjim të juntës ushtarake në Libi”, thonë nga ministria, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar “të japë përgjigjen e nevojshme pa vonesë të mëtejshme”.

“Nuk duhet të harrohet se në sytë e popullit libian, ata që e mbështesin atë, përfshirë disa vende demokratike, do të jenë partnerë me atë që bëri”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Duke përçuar mbështetjen e palëkundur të Ankarasë për popullin libian dhe për përpjekjet drejt një zgjidhjeje politike, nga ministria thonë se Turqia mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të njohur nga OKB dhe të gjitha institucioneve të tjera legjitime.

Haftar në mënyrë të njëanshme e shpalli veten sundimtar të Libisë të hënën, duke pretenduar se ai “pranoi mandatin e popullit libian” dhe duke e quajtur “Marrëveshjen e Skhirat” të vitit 2015 “një gjë të së kaluarës”.

Që nga rrëzimi i sundimtarit disadekadësh të vendit, Muammar Gaddafi, në vitin 2011, në vend janë shfaqur dy pushtete, ajo e Haftarit në Libinë lindore, e mbështetur kryesisht nga EBA dhe Egjipti, dhe GNA në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe njohjen ndërkombëtare.

GNA është sulmuar nga forcat e Haftarit që nga prilli i kaluar dhe më shumë se 1.000 njerëz janë vrarë si pasojë e dhunës. Qeveria e Tripolit nisi operacionin “Stuhia e Paqes” më 25 mars për të zmbrapsur sulmet ndaj kryeqytetit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne