Hahn i kërkoi Metës zhbllokimin e marrëveshjes me Greqinë

Në vizitën që pati në Tiranë Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn takoi edhe Ilir Metën, një takim që zgjati fare pak për të cilin presidenca përcolli një njoftim të shkurtër, ku në thelb ishte qëndrimi i Metës që në negociatat me BE të ketë gjithëpërfshirje.

Burime nga Respublica mësuan se diplomati europian i kërkoi presidentit të mos bllokojë nënshkrimin e marrëveshjes me Greqinë për kufirin detar. Meta nga ana e tij ka shprehur shqetësimin për vështirësitë që krijon mungesa e Gjykatës Kushtetuese.  E pyetur nga Respublica, zyra për shtyp e Presidentit tha se në takimin e kreut të shtetit me komisionerin Hahn janë diskutuar problemet e fqinjësisë së mirë në përgjithësi dhe jo për gjëra konkrete. Edhe në konferencën për shtyp që patën pas takimit kryeministri Rama e vuri theksin pikërisht tek dy çështje ajo e bisedimeve me Greqinë dhe amendimi i Ligjit për Magjistraturën.

Për të finalizuar nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe me Greqinë nevojitet autorizimi i Ilir Metës, i cili përveçse ka kërkuar informacion më të plotë për negociatat ka lënë të kuptohet se në mungesë të garancive Kushtetuese, pra të pamundësisë për ta ankimuar marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese për shkak mosfunksionimit të saj nuk do japë autorizimin.

Edi Rama deklaroi në konferencën me Hahn se teksti përfundimtar i marrëveshjes do tregojë se në marrëveshjen për Detin nuk ka tradhëti, por ndryshe mendon partia që propozoi presidentin. Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani në një status të tij flet për tradhëti kombëtare dhe harta që vërtetojnë delimitimin detar në dëm të Shqipërisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne