Shqiperia

Hahn: Shqipëria plotësoi kërkesat, ne duhet të mbajmë premtimin!

Negociatat e anëtarësimit janë kryefjala e kmomentit jo vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë, që presin me ankth vendimin e vendeve anëtare te BE-së, por edhe për vetë zyrtarët e lartë të unionit, ndër ta edhe Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn.

Hahn ka dhënë sot një intervistë për “Der Standard”, të cilën e ka shpërndarë në Facebook edhe kryeministri Edi Rama, ku thotë se “shpreson për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit” dhe e quan atë “dritë të gjelbër për çeljen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë”.

“Për momentin ka një trazirë nëpër rajon. Shkaku ishte strategjia jonë e zgjerimit, e cila hap një perspektivë për të gjitha shtetet. Në Kosovë, ka pasur ratifikimin e papranueshëm të marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi. Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Bullgaria kanë nënshkruar një marrëveshje miqësie dhe ka gjithashtu negociata të hapura midis Greqisë dhe Shqipërisë. Procesi i shqyrtimit gjyqësor në Shqipëri është në lëvizje të plotë. Reforma gjyqësore është një prioritet në Shqipëri”, shprehet Hahn.

Komisioneri i BE thekson se “nga këndvështrimi ynë, Shqipëria ka përmbushur kërkesat për të filluar procesin e shqyrtimit”.

“Bazuar në këtë ju mund të bëni një analizë për të parë kriteret për hapjen e kapitujve. Jam i bindur se Shqipëria, pas vendimit maqedonas, mund të bëjë të njëjtën gjë. Mundësia për reforma është më e fortë gjatë negociatave. Unë jam i bindur se Franca dhe Holanda do të shohin gjithashtu “gotën gjysmë plot”. Besueshmëria jonë është pjesë e sistemit tonë të vlerave”, thotë Hahn.

Sipas tij në të gjithë këtë çështje BE ka dhënë një premtim, që është çelja e negociatave dhe vendet anëtare në këmbim i kanë plotësuar kërkesat, ndaj unioni nuk duhet të devijojë nga “fjala e dchënë”.

“Nëse bëjmë një premtim, dhe pala tjetër plotëson kërkesat, atëherë ne duhet të pajtohemi. Nëse kjo nuk do të ndodhë, kjo do të prekte vendet e tjera në rajon”, nënvizon Hahn.

OPINIONE