Nga Shaban Burri
Në një kohë kur bota dhe mbarë Ballkani përballen me sfida të mëdha politike dhe ekonomike, çështja e veshjes apo e festave mund të duket dytësore. Megjithatë, çdo ndryshim shoqëror e ka zanafillën te kultura. Se në cilin drejtim do të zhvillohemi si popull, kjo gjë është në dorën tonë. Prandaj, sot duhet t’i bëjmë vetes një pyetje të pashmangshme: Pse në rrugët e Tiranës e të Prishtinës e pranojmë aq me dëshirë Halloween-in, por debatojmë me aq ashpërsi për shaminë?
Përfytyroni një moment datën 31 tetor: në lagjet moderne të qyteteve tona sheh adoleshentë me maska të frikshme e dhëmbë vampirësh. Vitrinat e qendrave tregtare janë të mbushura plot me kunguj plastikë e merimanga artificiale. E gjitha kësaj i thurren lavde si diçka moderne, perëndimore dhe tërheqëse. Por, vetëm pak metra më tej kalon një vajzë e re me hixhab – dhe menjëherë shpërthejnë hapësirat e komenteve në rrjetet sociale.
Aty nis një debat nëse kjo gjë është „shqiptare“, nëse i përshtatet shoqërisë sonë moderne apo nëse është shenjë prapambetjeje. Këtu shpërfaqet një paradoks i thellë: Që kur një kungull plastik e komercial nga Amerika qenka bërë pjesë e identitetit tonë, ndërsa një grua shqiptare që mbulohet, konsiderohet si një trup i huaj?
Shumë të rinj shqiptarë mendojnë se Halloween-i është thjesht një festë moderne amerikane. Por historia e tij është krejt ndryshe dhe shumë më e vjetër.
Prejardhja e vërtetë e Halloween-it: Nga ritet e lashta të Baal-it te biznesi modern.
Shumë të rinj mendojnë se Halloween-i është thjesht një lojë moderne dhe argëtuese. Por e vërteta historike është shumë më e thellë, më e egër dhe me një prejardhje të errët. Rrënjët e kësaj feste nuk nisin në Amerikë, por shkojnë pas në kohë te keltët e lashtë dhe priftërinjtë e tyre, Druidët, të cilët më 31 tetor festonin “Samhain” (Zotin e Vdekjes).
Megjithatë, historia shkon edhe më tej. Studimet historike tregojnë se ritet e Druidëve – si ndezja e zjarreve të mëdha sakrifikuese, flijimet e kafshëve dhe njerëzve – nuk ishin gjë tjetër veçse një trashëgimi e drejtpërdrejtë e Festeve të Baal-it (apo Molohut), kultit të lashtë babilonas që daton që nga koha e Nimrodit. Baal-i ishte zoti i rremë i përmendur në librat e shenjtë, i cili kërkonte flijime njerëzore dhe sakrifica të fëmijëve përmes zjarrit për të siguruar mbrojtje gjatë dimrit të errët.
Kur keltët festonin Samhain-in, ata praktikonin pikërisht këto rite të lashta të Baal-it: njerëzit vendosnin maska të frikshme për t’u fshehur nga demonët ose për t’i kënaqur ata, dhe shkonin shtëpi më shtëpi duke kërkuar dhurata e flijime për perënditë e errësirës. Më vonë, kjo traditë u përzje me krishterimin nën emrin “All Hallows’ Eve” (Nata para të Gjithë Shenjtorëve), dhe në shekullin e 19-të emigrantët irlandezë e çuan në Amerikë, ku u zhvesh nga kuptimi shpirtëror dhe u kthye në një biznes miliarda dollarësh.
Pra, kur rinia jonë sot feston Halloween-in, ajo pa e ditur po ri-importon dhe po ringjall ritet e lashta të adhurimit të Baal-it (shirkut dhe satanizmit antik) të paketuar bukur si konsum plastik. Ne pranojmë një festë që e ka zanafillën te sakrificat e errëta të zotave të rremë, por guxojmë të quajmë “të huaj” traditën tonë.
Pra, Halloween-i nuk është një shpikje e pastër amerikane, por një traditë e lashtë evropiane që u mor nga Amerika, u zhvesh nga çdo kuptim shpirtëror dhe u kthye në një makineri të pastër parash nga industria globale e argëtimit. Dhe sot, ne në Ballkan e ri-importojmë këtë produkt thjesht si konsum, duke blerë plastikë dhe duke festuar estetikën e të shëmtuarës, ndërsa traditat tona të vërteta shpesh i harrojmë.
Kur një grua myslimane mban shami sot, dëgjon shpesh zëra që thonë: „Kjo është arabe, nuk është shqiptare!“ Kushdo që e thotë këtë, duhet urgjentisht të hapë albumet e vjetra familjare ose të vizitojë një muze etnografik.
Mbulimi i flokëve është një element autokton dhe i lashtë i kulturës shqiptare. Gjyshet tona – qoftë në Veri apo në Jug, qofshin myslimane, katolike apo ortodokse – e mbanin me krenari shaminë apo maramën e tyre. Ajo ishte pjesë e veshjeve tona kombëtare. Shamia përfaqësonte dinjitet, respekt, pjekuri dhe mbrojtje për familjen. Kur shohim sot një motër fetare katolike, apo kur kujtojmë trashëgiminë e Nënë Terezës, ne shohim një grua me kokën të mbuluar, të cilën e nderojmë si heroinë. Pse, pra, kjo copë pëlhure te njëra konsiderohet si simbol krenarie dhe te tjetra si simbol shtypjeje?
Sigurisht që si shoqëri duhet t’i mbrojmë vajzat nga çdo lloj detyrimi – qoftë ai nga familja apo nga strukturat patriarkale. Por detyrimi ekziston në të dyja anët. Liria e vërtetë nuk nënkupton t’i heqësh shaminë një gruaje. Liria e vërtetë do të thotë që ajo të ketë të drejtë të vendosë vetë. Një grua shqiptare nuk bëhet moderne duke plotësuar dëshirat e të tjerëve, pot duke parë që t’i respektohet e drejta e saj për vetëvendosje.
Populli ynë është i njohur botërisht për Harmoninë Fetare. Kjo është pasuria jonë më e çmuar. Pashko Vasa shkroi dikur se shqiptaria na bashkon të gjithëve. Por kjo nuk do të thotë se duhet t’i fshijmë dallimet tona, por që të respektojmë besimin e tjetrit.
Nëse mbrëmjen e Halloween-it trokasin fëmijë në derë për të kërkuar ëmbëlsira, ne duhet t’u japim çokollata, por mbase edhe mund t’u bëjmë një pyetje: „A di ndonjë këngë tradicionale shqiptare apo ndonjë poezi nga Fishta, Frashëri apo Migjeni?“ Është e dhimbshme kur rinia jonë i di përmendësh shprehjet e Halloween-it amerikan, kur harron kulturën e vet.
Kultura nuk është ajo që blejmë nëpër dyqane, por ajo që ruajmë nga të parët tanë dhe ua përcjellim fëmijëve tanë. Nëse e pranojmë kungullin plastik para derës, nuk duhet të kemi frikë nga shamia mbi kokën e një gruaje. Problemi nuk qëndron te kjo copë stofi – por te mënyra se si kemi harruar t’i drejtohemi njëri-tjetrit me respekt shqiptar, me Besë e me Nder.
Le të ndalojmë së gjykuari për njëri-tjetrin dhe të fillojmë të flasin me njëri-tjetrin, si vëllezër e motra që jemi.
















