Bota

Hamas publikon fotografitë e ushtarëve izraelitë të infiltruar në Gaza

Krahu i armatosur i lëvizjes palestineze Hamas, Brigadat Izzeddin al-Kassam, ka publikuar në uebsajtin e vet fotografitë e disa pjesëtarëve të forcave speciale izraelite, të cilët kishin infiltruar në Gazë duke kaluar kufirin dy javë më parë, bashkë me automjetet që kanë përdorur për të kryer operacione.

Raportohet se disa nga personat izraelitë, prej të cilëve dy janë gra dhe fotot e të cilëve janë publikuar në faqen e internetit të Brigadave Kassam, janë pjesëtarët e forcave speciale që kanë hyrë fshehurazi në qytetin Han Yunus, në jug të Rripit të Gazës.

Në faqen e internetit janë postuar edhe fotografitë e minibusit dhe kamionit të përdorur nga njësitë e forcave speciale izraelite gjatë operacionit në Gazë.

Përmes një deklarate Brigadat Kassam njoftojnë se hetimi në lidhje me infiltrimin e forcave izraelite në qytetin Han Yunus në jug të Rripit të Gazës vazhdon dhe se është arritur përparim në këtë hetim.

Në deklaratë kërkohet nga palestinezët të ofrojnë të dhëna nëse zotërojnë mbi personat, fotografitë e të cilëve janë publikuar në uebsajtin e Brigadave Kassam.

Edhe përgjegjësi i Hamasit për Gazën, Yahya Sinvar në një deklaratë që kishte bërë javën e kaluar kishte thënë se Brigadat Kassam disponojnë pamje të komandantit izraelit të vrarë në ngjarjen në fjalë.

Kurse ushtria izraelite u ka bërë thirrje organeve mediatike dhe mediave sociale që të mos postojnë informacione dhe fotografi që kanë të bëjnë me disa persona që janë pjesë e forcave speciale izraelite.

Në komunikatën e shkruar të ushtrisë thuhet se këto materiale mund të rrezikojnë jetën e disa personave dhe kjo mund të dëmtojë sigurinë e shtetit izraelit.

– Tensionimi i situatës në Gaza

Edhe pse burimet palestineze kishin njoftuar më parë për një progres konkret të shërbimit sekret egjiptian në bisedimet për vendosjen e armëpushimit, ditën e diel, më 11 nëntor një grup ushtarësh nga forcat speciale të Izraelit kishin infiltruar në Gazë me një automjet civil duke e rritur sërish tensionin në rajon.

Në përleshjet me armë, që filluan pas dallimit të ushtarëve izraelitë nga njësitë e Hamasit, ranë dëshmorë 7 palestineze dhe u vra një ushtar izraelit.

Si kundërpërgjigje pas incidentit grupet e rezistencës palestineze e sulmuan Izraelin me raketa, dhe pas kësaj ushtria izraelite kishte filluar të godiste Gazën nga ajri. Në këto sulme ajrore kishin rënë dëshmorë edhe 7 palestinezë të tjerë.

Pas shkallëzimit të tensionit në rajon të martën, më 13 nëntor ishte njoftuar arritja e një armëpushimi në Gazë mes grupeve palestineze dhe Izraelit me ndërmjetësimin e Egjiptit./ trt

OPINIONE