Hamasi falënderon Erdoganin për fjalimin historik dhe të guximshëm

Shefi i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Heniyye, e falënderoi Presidentin Erdoan për fjalët historike dhe të guximshme në lidhje me Palestinën në fjalimin drejtuar liderëve të botës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Në një letër të hapur drejtuar Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) Heniyye shprehu kënaqësinë e tij për fjalimin historik që ai bëri para udhëheqësve të botës duke treguar “hartën që pasqyronte territoret palestineze nga viti 1947 e deri në ditët e sotme”.

“Fjalimin tuaj para liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në të cilin shprehët solidaritetin tuaj me territoret e okupuara të Palestinës dhe popullin palestinez; fjalët tuaja në mbrojtje të Jerusalemit të pushtuar dhe xhamisë Al-Aksa dhe hartën historike të Palestinës që ju e treguat në sallë ne i ndoqëm me një vëmendje dhe admirim të madh bashkë me popullin tonë që jeton si në Palestinë, ashtu edhe në diasporë. Këto territore dëshmuan për herë të parë një fjalim të tillë. Populli palestinez ndjen një krenari të madhe për fjalimin tuaj të guximshëm dhe historik, i cili shpalosi para syve të të gjithë botës politikën okupuese të Izraelit që vazhdon për më shumë se 70 vjet dhe zbuloi qëndrimet e vendeve që heshtin përballë likuidimit të të drejtave dhe parimeve kombëtare palestineze”,- shkruan Heniyye në letrën e tij dërguar Presidentit Erdoan.

Me fjalimin që mbajti të martën Erdoani është ‘zëdhënësi’ i ndërgjegjes së të gjithë botës islame. Presidenti i Turqisë foli në emër të të gjithë popujve të shtypur myslimanë në botë, kryesisht të palestinezëve, vijon letra e Heniyye.

Shefi i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Heniyye gjithashtu shpreh mirënjohjen e tij ndaj popullit vëlla të Turqisë, qeverisë dhe presidentit të saj për rolin që luajnë dhe qëndrimin dinjitoz që mbajnë në drejtim të mbrojtjes dhe solidarizimit me popullin palestinez dhe tokat e shenjta.  /trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne