Han kërkon nga shoqëria ndërkombëtare t’i sigurojë armët bërthamore të Indisë

Kryeministri pakistanez, Imran Han, i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë hapa për të siguruar arsenalin bërthamor të Indisë pasi Nju-Delhi la të kuptohet për një ndryshim në politikën e tij të armëve bërthamore.

Në një postim të bërë në llogarinë e tij në Twitter, Kryeministri Han tha se “Bota duhet të konsiderojë seriozisht sigurinë e arsenalit bërthamor të Indisë që ndodhet në kontrollin e qeverisë fashiste, raciste, nacionaliste hindu të Narendre Modi”.

“Kjo është një çështje që prek jo vetëm rajonin, por edhe botën”, deklaroi Han, ndërsa i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të vihet në veprim për të siguruar arsenalin bërthamor të Indisë.

Han gjithashtu bëri të ditur se 4 milionë myslimanë të Indisë po ballafaqohen me anulimin e nënshtetësisë së tyre dhe tha se 9 milionë banorë të Kashmirit janë të ekspozuar ndaj një bllokade të komunikimit nga India.

Ministri indian i Mbrojtjes, Rajnath Singh në një deklaratë të bërë për gazetarët në qendrën e testimeve bërthamore në qytetin Pokhran të provincës Raxhastan tha se India ka respektuar rreptësishtë doktrinën e armëve bërthamore të “politikës për të mos jetë pala e parë që përdor këto armë”, megjithatë kjo politikë do të mund të ndryshojë.

Doktrina bërthamore e Indisë

Në kuadër të doktrinës bërthamore të publikuar në vitin 2003 India zotohet se këto armë do të përdoren si kundërpërgjigje vetëm ndaj ndonjë sulmi të mundshëm me armë bërthamore ndaj territoreve ose ndaj ushtarëve të saj.

Kjo doktrinë përfshinë edhe kundërpërgjigje në masë të njëjtë ndaj sulmeve me armë kimike ose biologjike.

Me anë të kësaj doktrine qeveritë e Indisë autorizohen t’i përdorin burimet për ndërtimin e fuqisë bërthamore dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së saj në një shkallë të besueshme dhe parandaluese.

Edhe në manifestin zgjedhor që Partia Popullore e Indisë (BJP) në pushtet e publikoi në vitin 2014 thuhet se do të rishqyrtohet dhe përditësohet doktrina bërthamore e Indisë, mirëpo në manifestin e publikuar në vitin 2019 kjo shprehje nuk u përdor. / trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne