Hanije thirrje për bashkim dhe intifadë të re për Jerusalemin

Kryetari i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Hanije, ka bërë thirrje që nga e premtja të fillohet intifadë e re palestineze kundër vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.

Përmes një deklarate për median në zyrën e tij në Gaza, Hanije ka kërkuar t’i jepet fund procesit të bisedimeve për paqe, duke kërkuar nga qeveria palestineze të tërhiqet nga Marrëveshja e Oslos.

“Vendimi i SHBA-ve për Jerusalemin nënkupton se tanimë ka filluar një proces i ri politik. Procesi i paqes është varrosur përfundimisht”, tha Hanije. Ai po ashtu i ftoi liderët e Palestinës dhe ata të vendeve arabe dhe myslimane ta bojkotojnë qeverinë amerikane.

“Kërkojmë që nga nesër të fillohet intifadë e re kundër vendimit të SHBA-ve”, theksoi shefi i Byrosë Politike të Hamasit, duke shtuar se Jerusalemi, në lindje dhe perëndim, ka identitet arab dhe mysliman.

“Po ashtu, Palestina është një tërësi e cila nuk pranon dy shtete ose entitete. Ashtu sikurse Palestina është e jona, edhe Jerusalemi është i yni. Ndërkaq, Izraeli okupator nuk mund të ketë legjitimitet në trojet palestineze”, shtoi ai.

Duke theksuar nevojën për përshpejtimin e hapave për arritjen e unitetit dhe pajtimit palestinez, Henije nënvizoi se tejkalimi i mosmarrëveshjeve mes palestinezëve tashmë është çështje e pashmangshme.

Po ashtu, Henije e vlerësoi pozitivisht thirrjen e presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan për mbledhje të jashtëzakonshme të Organizatës për Bashkëpunim Islam në lidhje me Jerusalemin. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne