Hapet pika e re kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Sot është hapur pika e re e përbashkët kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Në përurimin e pikës kufitare Bellanoc – Stançiç, të komunave Likovë e Gjilan u tha se është një ditë historike dhe simbol i bashkëpunimit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se kjo pikë kufitare u quajt edhe “urë lidhëse për shqiptarët e të dyja vendeve”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, në fjalën e tij tha se hapja e kësaj pike kufitare është një përafrim edhe më i madh në mes të Gjilanit dhe Likovës, në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Në një plan njerëzor, kjo pikë kufitare e shkurton me të madhe rrugën të cilën qytetarët e Kosovës e kanë bërë në drejtim të Kumanovës ku edhe nga Gjilani edhe nga Prishtina është dashur të udhëtohet 200 deri në 250 kilometra dhe sot do të udhëtohet 50 deri në 70 kilometra me qëllim që qytetarët e të dyja vendeve të arrijnë caqet e tyre”, theksoi Hoxhaj, i cili shtoi se kjo pikë do të kontribuojë edhe në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve.

Hoxhaj ka falënderuar Bashkimi Evropian (BE) për mbështetjen financiare për këtë projekt, e gjithashtu edhe institucionet kosovare e ato të maqedonase për “vullnetin politik që projekti i cili ishte bllokuar për vite me radhë të përfundojë për një vit”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski gjatë hapjes së kufirit Bellanoc-Stançiç, theksoi se ky projekt është projekt që bashkon dhe thellon edhe më shumë bashkëpunimin e dy vendeve fqinje.

“Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme midis tyre. Projektet sikur ky i sotmi vetëm se e thellojnë edhe më shumë këtë bashkëpunim. Përmirësojnë infrastrukturën mes dy vendeve tona, siç është autostrada Shkup-Bllacë”, tha Spasovski.

Në këtë përurim, përpos udhëheqësve institucional e atyre të komunave Likovë e Gjilan, kanë marrë pjesë edhe qytetarë të shumtë.

Në këtë pikë do të mund të kalojnë nga sot vetëm njerëzit dhe automjetet e vogla, ndërsa pas gjashtë muajve edhe automjetet e renda e mallrat.

Kujtojmë se gurthemeli i objektit në pikëkalimin kufitar të përbashkët Stançiç-Bellanoc ishte përuruar në qershor të vitit 2018 nga zyrtarë shtetërorë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Projekti është realizuar me fondet e Instrumentit për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA) të dedikuara për të dyja vendet.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne