Hapi që do të ndërmarrin Turqia dhe Rusia do të ndryshojë fatin e rajonit

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan gjatë vizitës së tij në Rusi tha se hapi që do të ndërmarrin këtu Rusia dhe Turqia do të ndryshojë fatin e rajonit, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan dhe presidenti rus Vladimir Putin janë takuar në rezidencën presidenciale shtetërore në Soçi për të zhvilluar një takim kokë më kokë.

Në takim të pranishëm janë edhe ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu, zv.sekretari i përgjithshëm i Presidencës turke Ibrahim Kalın dhe kreu i shërbimeve inteligjente Hakan Fidan, ndërsa nga pala ruse ministri i Jashtëm Sergey Lavrov, ministri i Mbrojtjes Sergey Shojgu si dhe këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme Jurij Ushakov.

Dy liderët para takimit kanë mbajur një fjalim përshëndetës, ku presidenti Erdoğan fjalën e tij e ka nisur duke shprehur falënderimet për këtë takim, dhe pasi ka vënë në dukje se do të gjejnë mundësinë për të diskutuar si për marrëdhëniet dypalëshe mes Federatës Ruse dhe Turqisë por edhe për problemet rajonale.

“Po përjetojmë një periudhë ku mbi ne ka përgjegjësi të rëndësishme. Besoj se hapi që do të ndërmarrin këtu Rusia dhe Turqia do të ndryshojë fatin e rajonit”, tha Erdoğan.

Putin: “Marrëdhëniet turko-ruse kanë një rëndësi të veçantë”

Presidenti rus Vladimir Putin theksoi se marrëdhëniet Turqi-Rusi kanë një rëndësi të veçantë. “Shpreh falënderimet që keni pranuar ftesën tonë dhe keni adhur në Soçi. Marrëdhëniet tona vazhdojnë të zhvillohen plotësisht në mënyrën që jemi dakorduar. Në këtë takim ku jemi mbledhur në një ambient pune jam i kënaqur që do të gjejmë mundësinë për të vlerësuar çështjet dypalëshe dhe ato rajonale kryesisht për Sirinë”, tha Putin.

“Z. President, dinamika e bisedimeve me ju, thekson edhe njëherë se ka një karakter shumë të veçantë pas përfundimit të afatit të normalizimit të plotë të marrëdhënieve turko-ruse. Mirë se erdhët”, deklaroi Putin.

Ndër të tjera duke uruar presidentin Erdoğan në lidhje me rezultatet e referendumit popullor për ndryshimet kushtetuese në Turqi, Putin tha se “Përparimi i mëtejshëm i situatës së brendshme politike në Turqi, do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e marrëdhënieve turko-ruse. Një pjesë e madhe e vendimeve që do të marrim bashkë me ju janë të një rëndësie strategjike dhe kjo kërkon miratimin e parlamenteve tona”./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne