Hapja e negociatave me Shqipërinë – si u arrit vendimi i rëndësishëm

Nga Arjan Balla

Këshilli Europian i tetorit 2019 do të vendosë pro fillimit të negociatave për anëtarësim midis BE-së dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Për Shqipërinë, Këshilli pritet ta kushtëzojë fillimin praktik të bisedimeve me plotësimin e një sërë kushtesh, kryesisht në fushën e shtetit të së drejtës.

Sidoqoftë, vendimi i Këshillit Europian do të jetë përfundimtar dhe do t’i lihet Komisionit Europian të vlerësojë përmbushjen e kushteve dhe të marrë vendimin për fillimin e bisedimeve në praktikë, pa pasur më nevojë për miratim nga Këshilli Europian.

Për Maqedoninë nuk do të ketë asnjë kusht dhe diskutimet dypalëshe mund të fillojnë në çdo kohë, pa asnjë kufizim.

Ky vendim historik për dy vendet ballkanase është arritur pas dy kompromiseve të rëndësishme: kompromisit midis Francës dhe Gjermanisë dhe kompromisit të brendshëm në Bundestag—Gjermania është i vetmi vend i BE-së ku është parlamenti dhe jo qeveria që vendos për çështjet e zgjerimit të BE-së.

Gjatë dy viteve të fundit qeveria franceze ka qenë kundërshtarja kryesore për hapjen e negociatave me vende të reja. Deri javët e fundit ajo ka qenë pengesa kryesore për një vendim pozitiv edhe këtë vit.

Por ishin përpjekjet personale të Kancelares Merkel me Presidentin Macron që çuan në gjetjen e një kompromisi franko-gjerman.

Pengesa tjetër ishte Bundestagu, parlamenti gjerman, i cili kishte vendosur kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë në vitin 2017 dhe 2018, duke e kushtëzuar me plotësimin e një sërë kushteve.

Edhe në këtë rast Kancelarja Merkel ka luajtur një rol të rëndësishëm për të bindur veçanërisht fraksionet brenda grupit të saj parlamentar për të arritur në kompromisin që të lejohet vendimi politik për hapjen e negociatave, por të kushtëzohet fillimi në praktikë i bisedimeve.

Skepticizmi gjerman dhe francez kanë qenë kryesisht të drejtuar te Shqipëria, e cila duket se më fund ka përfituar nga nevoja e BE-së për të mos e lënë sërish Maqedoninë e Veriut peng të Shqipërisë, siç ndodhi në qershor.

Gjatë këtij viti, politikanë dhe ekspertë evropianë kanë diskutuar shpesh nëse BE-ja mund të marrë vendime të ndryshme për këto dy vende, pra t’i hapë negociatat me Maqedoninë e Veriut, por jo me Shqipërinë.

Nga njëra anë, BE-ja ka pasur një vetëdije të qartë për problemet serioze politike dhe të shtetit të së drejtës në Shqipëri, që nuk favorizojnë hapjen e negociatave. Nga ana tjetër ka pasur një mirëkuptim të gjerë se Maqedonia e Veriut duhet të shpërblehet me hapje të negociatave, pasi ka marrë një sërë vendimesh dhe ndryshimesh shumë të rëndësishme, të kërkuara nga BE-ja, përfshi marrëveshjen për ndryshimin e emrit.

Sikurse ka shpjeguar Bobo Weber, drejtuesi i organizatës DPC, e cila qe e para që njoftoi shtyrjen e vendimit të Këshillit nga qershori në tetor 2019, arsyeja për shtyrjen ishte sepse Franca nuk ishte dakord të votonte pro Shqipërisë, ndërsa qeveria gjermane kërkonte që të dyja vendet të trajtoheshin njësoj.

Çështja e “vlerësimit në çift” u bë aq shqetësuese për Maqedoninë e Veriut, sa presidenti dhe kryeministri i saj i kërkuan haptazi drejtuesve të BE-së që të mos e trajtonin vendin e tyre bashkë me Shqipërinë. Kryeministri Rama atëherë reagoi i indinjuar, duke kujtuar me nënkuptime kërcënuese se shqiptarët në vendin fqinj kanë kontribuuar për demokratizimin e vendit.

Pozicioni gjerman për mosndarjen e dy vendeve mbështetej në faktin se nëse hapja do të ndodhte vetëm për Maqedoninë e Veriut, situata politike jo fort e qëndrueshme në Shqipëri dhe mungesa e demokracisë nuk mund të garantonin stabilitet në Shqipëri dhe në rajon.

Sipas opinionit politik në Berlin, për të siguruar stabilitetin e vendit dhe për të mbështetur pritshmëritë e popullit shqiptar kishte dy mundësi: a) shpallja e hapur e negociatave me të dy vendet, por vendosja e kushteve Shqipërisë për fillimin e diskutimeve paktike, dhe b) shpallja e hapur e negociatave me Maqedoninë e Veriut, por jo me Shqipërinë, dhe premtimi ndaj Shqipërisë se në pritje të vendimit politik në mbledhjen e ardhshme të Këshillit, ajo mund të fillonte përgatitjet teknike për nisjen e negociatave, në mënyrë që të mos humbiste kohë në pritje të vendimit politik.

Opsioni i dytë merr parasysh se që të fillojnë praktikisht negociata dypalëshe duhet një punë e madhe përgatitore, që zakonisht zgjat një vit, për të analizuar gjendjen e vendit dhe për të hartuar një plan teknik të negociatave.

Me fjalë të tjera, dy opsionet për Shqipërinë në tetor ishin: a) miratim politik i hapjes së negociatave, por kushtëzim teknik për fillimin praktik të tyre. b) ‘miratim’ të fillimit të përgatitjes teknike për negociata, por jo vendim politik për hapjen e tyre.

Për të shitur më lehtë opsionin e dytë, pra ndarjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, disa politikanë europianë argumentuan se edhe pse me dy vendime të ndryshme politike, sërish do të ishte e mundur që negociatat në praktikë, si me Shqipërinë edhe me Maqedoninë, të fillonin afërsisht në të njejtën kohë.

Pikërisht këtë argumentoi para pak ditësh Gunther Krichbaum, kryetari i Komisionit për Çështjet e BE-së në Bundestag, kur tha se “mund të bëhet shkëputja e dy vendeve dhe megjithatë, në fund, mund të ndodhë që bisedimet të fillojnë në të njëjtën kohë për të dy vendet”.

Por ky opsion i dytë do të ishte një goditje politike për Shqipërinë dhe stabilitetin e saj: qeveria e Shqipërisë nuk do të kishte si ta justifikonte ngecjen në vend përpara popullit dhe kjo mund të rrezikonte stabilitetin.

Për këtë arsye, në fund duket se triumfoi opsioni i parë: vendim pozitiv politik për hapjen e negociatave, por kushtëzim të fillimit të bisedimeve në praktikë.

Me gjasa edhe një faktor tjetër ka ndikuar pozitivisht për vendimin për të hapur negociatat me të dy vendet. Si nismëtare e Procesit të Berlinit, i cili ndezi shpresa të mëdha pë rintegrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, por nuk ka sjellë përparim në praktikë, Kancelarja Merkel duket se ka kërkuar të mos largohet nga detyra pa siguruar një arritje të prekshme në integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Kompromisi i arritur—hapja pa kushte me Maqedoninë e Veriut dhe miratim politik, por kushtëzim teknik për Shqipërinë—duket se do të balancojë dy interesa të rëndësishme: kënaqjen e skeptikëve në parlamentet dhe qeveritë e Gjermanisë dhe Francës dhe kënaqjen e pritshmërisë të dy popujve ballkanas, duke u dëshmuar gjithë vendeve të Ballkanit se perspektiva e tyre evropiane është e vërtetë dhe e sigurt.

Kështu, në fund, duket se do të mbeten të gjithë të kënaqur: Kancelarja Merkel, Bundestagu, Presidenti Macron, proeuropianët e euroskpetikët, dhe jo më pak e rëndësishme, populli shqiptar dhe qeveria Rama./exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne