Haradinaj: Gjermania, partner i fuqishëm i Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim një delegacion nga Bundestagu Gjerman pjesë të Nënkomitetit për Parandalimin e Krizave Civile, Menaxhimin e Konfliktit dhe Veprimeve të Integruara të kryesuar nga deputeti, Ottmar von Holtz.

Sipas komunikatës për media nga Zyra e Kryeministrit, Haradinaj ka thënë se, “Gjermania ka qenë dhe vazhdon të mbetet vend mik dhe mbështetëse e fuqishme e Kosovës në të gjitha proceset, e rëndësishme të vendit dhe në rrugën e integrimit dhe për këtë u jemi mirënjohës e falënderues”.

“Është me rëndësi që kjo përkrahje të vazhdojë edhe më tutje në zhvillimin ekonomik të vendit dhe bashkëpunimi politik dhe ekonomik të fuqizohet edhe më tej”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Ai ka njoftuar delegacionin gjerman për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, duke i vlerësuar si shembull i mirë i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike, duke thënë se kjo është dëshmi e stabilitetit institucional dhe forcimit të sundimit të rendit dhe ligjit në vendin tonë, si parakusht për integrim në familjen evropiane.

Haradinaj theksoi më tej se procesi i Berlinit i iniciuar nga shteti gjerman mbetet instrumenti më i rëndësishëm i integrimit të Ballkanit Perëndimor në Evropë dhe si vend Kosova ka qenë tejet konstruktive karshi detyrimeve të saj.

“Në këtë frymë mbështetja e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave është e domosdoshme si një e drejtë e qytetarëve tanë dhe një konfirmim i orientimit tonë euroatlantik”, tha Haradinaj.

Gjatë takimit është biseduar edhe për çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kryeministri në detyrë Haradinaj tha se arritja e një marrëveshje ligjërisht obliguese dhe me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe përfundimi i këtij procesi do të jetë më rëndësi për stabilitetin rajonal.

Delegacioni gjerman theksoi mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen në rrugën e saj euroatlantike dhe zhvillimore./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne