Rajoni

Haradinaj habitet në Vatikan me Papa Franceskun: Ishte vërtetë njerëzor, kishte ngrohtësi të jashtëzakonshme!

Gjatë takimit me Papa Franceskun, kryeministri Haradinaj e njoftoi kreun e kishes katolike për zhvillimet politike në Kosovë, rrugën evropiane dhe euroatlantike, duke theksuar faktin se Kosova është shembull për bashkëjetesën mes popujve dhe tolerancën fetare.

Kryeministri vlerësoi pritjen që iu bë nga Papa Françeku, duke thënë se Kosova dhe populli i saj do të jenë përjetë mirënjohës Vatikanit për mbështetjen e dhënë gjatë dekadave të fundit, e po ashtu shprehu përkushtimin e shtetit të Kosovës për një partneritet strategjik me Vatikanin.

“Vizita ime në Vatikan dhe takimi me Papa Françeskun është nder i madh për mua dhe popullin e Kosovës. E shfrytëzova këtë nder për të përcjellë përshëndetjet dhe dëshirat më të mira të popullit të Kosovës për Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, për Selinë e Shenjtë, pra për Vatikanin dhe dëshirën për të vendosur marrëdhënie të përhershme dhe strategjike me Vatikanin”, tha Haradinaj.

Me këtë rast, pasi Vatikani ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, kryeministri i Kosovës Haradinaj, vendosi që kërkesën për njohje t’ia bëjë në një formë tjeter, duke i përcjellë Papa Franceskut një letër kërkesë për njohjen e Kosovës.

“Më bëri përshtypje se Ati i Shenjtë, Papa Françesku ishte vërtetë njerëzor, me ngrohtësi të jashtëzakonshme, tha se “E kam në zemër popullin e Kosovës””, theksoi kryeministri Haradinaj.

Duke vlerësuar lartë pritjen që i është në Vatikan, kryeministri Haradinaj theksoi se trajtimi dhe pritja me aq respekt, është dëshmi për thellimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Ai e dha bekimin, për Kosovën, një bekim që ishte prekës jo vetëm për mua, por për të gjithë ne, një ndjenjë e veçantë. U ndjeva i nderuar dhe vërtetë jam ndjerë i respektuar sot”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj u shpreh i lumtur dhe mirënjohës që Kosova ka ndërtuar marrëdhënie miqësore me Selinë e Shenjtë.

“Ne e kemi me shumë rëndësi këtë marrëdhënie. Vatikani, po ashtu Selia e Shenjtë është anëtare në plotë organizata ndërkombëtare, sikurse e Interpolit dhe organizatat tjera. Jam thellë i bindur që në rrugëtimin tonë si Kosovë, do të na ndjenë. Jam i bindur që Selia e Shenjtë do ta ndjenë Kosovën”, ta kryeministri Haradinaj.

Takimi me Papa Françesku u bë në rezidencën e Atit të Shenjtë, në Vatikan në audiencë të mbyllur, në kuadër të vizitës zyrtare të Kryeministrit Haradinaj në Vatikan, e cila ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit strategjik dhe njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë.

OPINIONE