Haradinaj i drejton thirrje Vuçiçit për reflektim

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i është drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç me një shkrim, ku i kërkon atij të reflektojë mbi situatën e krijuar midis Kosovës dhe Serbisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Haradinaj në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, i tha Vuçiçit se Kosova është e gatshme për marrëveshje me të cilën pranohet realiteti i dy shteteve, në kufijtë ekzistues dhe respekt reciprok.

“Reflekto Z. Vuçiç! Është koha që të prezantosh vlera evropiane dhe jo qëndrime të cilat i ke prezantuar në të kaluarën, qëndrime këto që kanë shkaktuar tragjedi dhe dhimbje. Shteti i Kosovës është edhe shteti i serbëve të Kosovës, një shoqëri që ne e ndajmë së bashku. Neve na duhet shpresë dhe Kosova është gati për marrëveshje me të cilën pranohet realiteti i dy shteteve, në kufijtë ekzistues dhe respekt reciprok”, shkroi Haradinaj sot.

Ky shkrim i Haradinajt vjen pas disa deklaratave nga presidenti serb Vuçiç, i cili u takua me 140 serbë nga Kosova, nga ku, sipas mediave serbe, tha se kanë përgatitur masa të fuqishme e shumë të rrepta për Kosovën, të cilat do t’i zbatojnë pas Samitit të Parisit i cili mbahet më 1 korrik./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne