Haradinaj pret në takim ministrin Bushati

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri.

Në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Haradinaj fillimisht e ka njoftuar ministrin Bushati për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, Agjendën e Reformave Evropiane, zhvillimin ekonomik, fuqizimin e rendit dhe të ligjit, përmbushjen e obligimeve të MSA-së, dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çështje tjera me rëndësi për Kosovën.

Haradinaj me këtë rast ka vlerësuar rolin e Shqipërisë në mbështetjen e Kosovës në procesin shtetformues dhe proceset tjera me rëndësi për Kosovën, duke thënë se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të thellohet edhe më tutje, në fushën e zhvillimit ekonomik, të këmbimeve tregtare, arsim, kulturë, shëndetësi dhe fusha tjera të interesit të përbashkët.

Gjatë takimit kryeministri Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e Shqipërisë për rrugën e integrimit euroatlantik, anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, dhe në organizata tjera të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare.

“Mbështetja që ka dhënë Shqipëria për Kosovën në të gjitha etapat ka qenë e rëndësishme, andaj kërkojmë që bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve të vazhdojë edhe në fushën e zhvillimit ekonomik. Ne duhet t’i ndryshojmë parametrat ekonomik mes vete dhe t’i heqim barrierat burokratike”, ka thënë Haradinaj.

Gjatë takimit është biseduar edhe për marrëveshjet e arritura ndërmjet dy vendeve dhe nivelin e zbatimit të tyre, poashtu edhe për përgatitjet që janë duke u bërë për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që do të mbahet në nëntor të këtij viti në qytetin Pejë të Kosovës.

Ndërkaq, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka vlerësuar progresin e Kosovës duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj për vendimin pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga Parlamentit Evropian, në të njëjtën kohë ka shprehur gatishmërinë e shtetit shqiptar që edhe më tutje të vazhdojë mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike.

Bushati sot do të pritet në takim edhe nga zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli. Pas takimit të dy ministrat do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne