Ekonomi Rajoni

Haradinaj sulmon Kurtin: Përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia

Ish-Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj sulmoi ashpër kryeministrin Albin Kurti për vendimin e heqjes së tarifës 100 për qind ndaj Serbisë.

Përmes një statusi në Facebook, Haradinaj e quajti Kurtin ‘mashtrues që u dorëzua para Serbisë’:

“Sonte Albin Mashtruesi u dorëzua para Serbisë. Ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë. Albin Mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia.”

Pak minuta më parë, Albin Kurti lajmëroi se do të fillojë heqjen graduale të tarifës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina më 15 mars. Kurti tha se nëse Serbia ndalon fushatën e tërheqjes së njohjeve të pavarësisë së Kosovës, atëherë Kosova do ta largojë tarifën 100 për qind plotësisht dhe për të gjitha mallrat më 1 prill 2020.

Ramush Haradinaj ka qenë ideatori dhe kryeministri që vendosi tarifën 100 për qind ndaj Serbisë në nëntor 2018. Kjo masë u pa si përgjigjie nga qeveria e Haradinajt ndaj politikave bllokuese dhe fushatave lobuese që po ndërmerrte Serbia kundër Kosovës.

Pas vendosjes së taksës Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ndërpreu bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.

Prej 2 vitesh, ndërkombëtarët janë përpjekur të ndërmjetësojnë rinisjen e dialogut dhe kanë kërkuar heqjen e tarifës 100 për qind si e vetmja mundësi për të rinisur bisedimet Kosovë-Serbi.

Me ardhjen në pushtet Albin Kurti premtoi  se do të rishikonte vendimin për tarifat. Fillimisht ai deklaroi se  do ta zëvendësojë taksën me reciprocitet ndaj Serbisë dhe se reciprociteti do të zbatohet “në aspektin ekonomik, tregtar dhe politik”, por nuk shpjegoi qartë se ç’do të thoshte kjo.

Në fillim të shkurtit, Haradinaj, përmes një letre publike, i kërkoi Kurtit të mos e hiqte tarifën vetëm për shkak të presionit të ndërkombëtarëve dhe për disa përfitime të vogla të përkohshme, por vetëm në rast se Serbia premtonte njohje të plotë të pavarësisë së Kosovës./exit

OPINIONE