Harito për zgjedhjet presidenciale në Francë: Na duhet më shumë Europë jo më pak Europë

Zgjedhjet presidenciale që zhvillohen sot në Francë kanë tërhequr vëmendjen e gjithë opinionit publik botëror, pasi prej tyre varet tashmë jo thjesht dhe vetëm fati i Francës, por më se shumti fati i Bashkimit Europian.

Goditja e marrë nga largimi Britanisë së Madhe mund të kthehej në një fatalitet për BE, nëse Brexit do të shoqërohej nga nje Frexit, me një fitore të mundshme të kandidatëve që mbështesin linjën radikale.

Kundër kësaj linje antieuropiane është shprehur sot edhe Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito. Në një postim në faqen e saj në FB ministrja e cila ka jetuar dhe punuar për rreth 20 vjet në Francë shkruan:

Europa mban frymën me sytë nga Franca!

Sot na duhet të ndalojmë pak shëtitjen me Çadër apo me syze dielli në bulevard dhe t’ju bashkohemi disa qindra milionë europianëve të kontinentit me të njëjtin emër, të cilët sot, pikërisht sot, i kanë sytë drejtuar nga Franca për të mësuar në ora 20:00, pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, nëse BE si hapësirë paqeje, mirëqenieje dhe zhvillimi do të vazhdojë të ekzistojë ende.

Impakti i daljes së Francës nga BE, që do të sillte si pasojë edhe shkërmoqjen e Bashkimit Europian, do të ndryshonte përgjithnjë faqen e kontinentit dhe Shqipërisë e Ballkanit bashkë me të, për keq jo për mirë.

Dy ndër katër kandidatët që kanë probabilitet të mjaftueshëm të kualifikohen për raundin e dytë janë kundra Bashkimit Europian, Marine Le Pen dhe Jean-Luc Melenchon.

Nëse ndodh që këta të jenë dy të kualifikuarit e raundit të parë, Bashkimi Europian nuk do ti mbijetonte dot një goditje nga Franca, vend fondator dhe shtyllë e BE së bashku me Gjermaninë.

Europianët kanë harruar çfarë ju sjell BE. A imagjinojnë dot sot të rinjtë francezë që udhëtojnë me trena në gjithë vendet e Europës, që shkrirja e BE sot, nesër nuk do të thotë thjesht udhëtime pak më të vështira me viza e ndalesa në kufij, por mund të përkthehet në luftë me Poloninë a me Hungarinë? Që zhdukja e € do të thotë ulje e shkëmbimeve tregtare brenda Europës, më pak peshë karshi Kinës, Indisë, SHBA, por në fund të fundit më pak mirëqenie, më shumë varfëri, më pak punë për ta?

Europa mund të jetë bërë në këto 60 vjet jetë, si ato shtëpitë e mëdha, e tw tejmbushur mbase me objekte të çmuar dhe qilima të rëndë, por e pluhurosur. Por të shembësh shtëpinë për ta shkundur nga pluhuri nuk është zgjidhja sepse mbetesh jashtë.

Hajde ta shpluhurosim e ta modernizojmë shtëpinë, ti japim më shumë dritë duke hequr perdet e rënda, madje edhe duke e hapur oborrin për miqtë që duan të vijnë aty, siç jemi ne vendet e ashpra por dinamike të Ballkanit.

Bashkimi Europian duhet forcuar dhe duhet bërë më fleksibël, duhet të vijojë të jetë model shprese, demokracie dhe mirëqenieje. Na duhet më shumë Europë jo më pak Europë”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne