“Harrohen” – Skandal në Gjykatën e Tiranës, 300 dosje nuk dërgohen për rekurs

Rreth 300 dosje që i përkasin periudhës 2008-2015 nuk i janë dorëzuar Gjykatës së Lartë me relacion shoqërues megjithëse ndaj tyre ishte ushtruar rekurs. Skandali është zbuluar pak javë me parë në momentin kur po kryhej spostimi i dosjeve nga arkivi i gjykatës për në magazinat në Lundër. Menjëherë është shkarkuar kryesekretarja e gjykatës, e cila do dërgohet për ndjekje penale.

Një skandal është zbuluar në Gjykatën e Tiranës, ku rreth 300 dosje të viteve nga 2008 -2015 nuk i janë dorëzuar për rekurs  Gjykatës së Lartë.

Skandali është zbuluar disa javë më parë teksa një pjesë e dosjeve po spostoheshin për në magazinat në Lundër ku dhe do të arkivohen.

Bëhet fjalë për rreth 299 dosje civile dhe 1 penale që i përkasin viteve 2008 -2015 ndaj të cilave është ushtruar rekurs.

Menjëhere sapo është venë në dijeni të këtij fakti, kryetarja e gjykatës Enkelejdi Hajro ka urdhëruar marrjen e masave për të vënë në lëvizje rekurset si dhe largimin e personave  përgjegjës, kryesekretares dhe një sekretarje.

Gjithashtu për kryesekretaren po pregatitet edhe një kallzim  penal që do të depozitohet në  Prokurorinë e Tiranës për shpërdorim detyre.

Veç kallëzimit penal ndaj dy vartësve të shkarkuara kreu i Gjykatës së Tiranës ka urdhëruar dhe kontrollin e të gjitha procedurave për dosjet e lidhura me rekurset në Gjykatën e Lartë përgjatë periudhës 2008-2015.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne