Harta globale e divorceve, Shqipëria po hyn ndër vendet me normë të lartë

Divorci është një proces i gjatë, i lodhshëm, i kushtueshëm dhe shpeshherë me pasoja të rënda shoqërore. Por, gjithnjë e më shumë martesa po shkojnë drejt divorcit në Shqipëri duke bërë që Shqipëria të hyjë në zonën e kuqe të vendeve që kanë normë të lartë të tyre, sipas një harte globale…

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, në 100 martesa në Shqipëri 31 shkonin në ndarje, me një rritje të ndjeshme në krahasim me vitin e mëparshëm, kur ky tregues ishte rreth 22. Në këtë mënyrë, Shqipëria ka hyrë në zonën e kuqe, në grupin e vendeve të cilët kanë një normë divorci 30-39 për 100 martesa.

Në të njëjtin nivel me ne, për sa i përket divorceve janë Italia, Greqia dhe Turqia. Vendet e rajonit janë pjesë e grupit të vendeve me normë më të ulët të divorceve për 100 martesa.

Vendet me më shumë divorce

Sipas hartës së publikuar nga Wikipedia, rekord për numrin më të lartë të divorceve me mbi 60 divorce për 100 martesa e mban Spanja dhe Portugalia dhe vendet e Beneluksit.

Të lartë numrin e divorceve e kanë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Zvicra, si dhe Rusia, ku norma e divorceve varion nga 50-59 divorce në 100 martesa.

Ndër arsyet kryesore për rritjen e divorceve në Spanjë, ishte kriza ekonomike. Rritja shumë e madhe e divorceve bëri që qeveria spanjolle të shkurtonte në kohë procedurën për divorce, ku një vit, kohëzgjatja e procedurës u shkurtua brenda ditës.

Vendet me më pak divorce

Pjesë e grupit të vendeve me normë të ulët divorcesh, sipas të dhënave në hartë, me normë 0-9 divorce, janë Kili dhe Kolumbia, disa vende të Afrikës dhe Azisë.

Po pse po rriten divorcet në Shqipëri?

Arsyet kryesore, që japin ekspertët ligjorë dhe ata të fushës psikologjike, lidhen fort me shoqërinë shqiptare ndër vite: dhuna, varfëria, emigracioni, mblesëritë. Por, duket se të tjera arsye po bëhen të dukshme, si rritja e pozicionit të femrës në shoqëri, diferencat në arsim dhe në prioritet, apo edhe bixhozi etj. Divorci është një proces i gjatë, i lodhshëm, i kushtueshëm dhe shpeshherë me pasoja të rënda shoqërore.

Psikologët vlerësojnë se divorci është një proces i cili ka një ndikim afatgjatë në jetën e ish-partnerëve, duke i cenuar ekonomikisht. Kjo shkakton rënie të standardit të jetesës së mëparshme dhe në rastin e individëve në karrierë, ndikim në produktivitet. Stresi është ndër pasojat e divorcit, që shpeshherë është i gjatë dhe financiarisht i vështirë. Psikologët pranë Gjykatës së Tiranës tregojnë se dy nga katër nëna të divorcuara nuk marrin pagesën e plotë të mbështetjes së fëmijës. Disa të tjera detyrohen të braktisin punën që kanë pasur më parë, në kushtet e kërkimit të një pune të përshtatshme edhe me oraret e fëmijëve (ekonomikisht nuk përballohet prania e një dadoje apo kopshti/shkolle private). Gjatë procesit të kërkimit të punës, shpesh hasin paragjykime apo vështirësi./ Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne