Hashim, nuk na duhet Gjergj Dedaj, mbaje për veti ose çoje në BDI

Hamdi Nuhiju

Propozimi i presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për ta emëruar ambasador në Maqedoninë Veriore, Gjergj Dedajn ka nxitur reagime të shumta të opinionit. Të gjithë kanë reaguar kundër këtij emërtimi përveç militantëve dhe përfaqësuesve të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Gjergj Dedaj, kryetar i Partisë Liberale të Kosovës tashmë është i njohur në opinion si shqiptari më ekstremist kundër termeve islamik, fe islame, turk dhe Turqi. Ai në të gjitha paraqitjet e tij publike në mënyrë të vazhdueshme ka ofenduar komunitetin turk në Kosovë dhe jashtë saj, si dhe muslimanët duke u kërcënuar madje se nëse Kosova ndonjëherë do të anëtarësohej në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik ai do të jepte dorëheqje.

Gjergj Dedaj ka shkelur haptas Kodin Penal të Republikës së Kosovës ku nëse do të ekzistonte shtet juridik në Kosovë ai tashmë duhej që të ishte prapa grilave në burgun e sigurisë së lartë. Emërtimi i tij si ambasador në Maqedoni, gradimi i vazhdueshëm edhe përkundër opinionit kosovar dhe shqiptar në Maqedoni nxjerr në pah dyshimet për hipotekën e presidentit Thaçi te Gjergj Dedaj.

Proceset të përgjithshme politike në Kosovë dhe në Maqedoni, referendumi i caktuar në Maqedoni me 30 shtator dhe referendumi i paralajmëruar nga presidenti Thaçi për çështjen e Luginës së Preshevës gjithnjë e më shumë i nxjerr në pah veprimet e këtilla si emërtimi i këtij ambasadori në Maqedoni si dhe arrestimi i shtatë “shqiptarëve anonim të ISIS-it” nga qytete anonime të Maqedonisë nga ana e policisë.

Këmbëngulja e presidentit Thaçi për ta mbajtur si ambasador Dedajn në Maqedoni në kohën kur në Maqedoni ende është president Gjorgje Ivanov shton dyshimet për misionin e këtij ambasadori. Dihet mirëfilli se cilat janë detyrat e një ambasadori në një shtet të caktuar.

Gjergj Dedaj me qëndrimet e tij anti-turke dhe anti-islame, me emërtimin e tij ambasador në Maqedoninë Veriore a nënkupton kjo gjë që ai do të duhet që të përçaje muslimanët e Maqedonisë, t`i prish raportet e Turqisë me shqiptarët e këtij vendi si dhe të fus në burg hoxhallarë që do të ishin të rrezikshëm për BDI-në dhe interesat sllave?

Emërtimi i Dedajt ambasador në Maqedoni a do t`i ndihmonte BDI-së që të “zbulonte” shqiptarët ortodoks dhe katolik e në Tetovën 100 përqind myslimane në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të nxirrte si kandidat edhe ndonjë Branko Manajllovsk tjetër?

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev duhet që të reagoje urgjentisht kundër emërtimit të tij si ambasador. Po ashtu edhe Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë Veriore nuk guxon që të hesht përballë një racisti të këtillë.

Ne nuk duam që t`i prishim raportet e Maqedonisë me Kosovën e as me Turqinë. Vendosja e tij në një pozitë të tillë dëmton rëndë marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Maqedonisë.

Nëse Hashim Thaçi nuk ndërron mendje dhe dëshiron që ta dërgoje ambasador në Shkup, atëherë le t`ia ndërroje destinacionin, le ta dërgoje në Reçicë të Vogël te selia blu. Vetëm atje Gjergj Dedaj, Mut Kelmendi e të ngjashëm janë të mirëseardhur.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne