Hashim Thaçi: Pavarësia e Kosovës është çështje e përfunduar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se pozicioni i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është larg realitetit, pasi e vetmja marrëveshje e pranueshme për Kosovën është njohja formale e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Në një konferencë për media, Hashim Thaçi tha se në muajt e ardhshëm do të kenë pengesa nga autoritet e Serbisë, por ka shpresa për arritjen e marrëveshjes, sepse kanë vëmendjen e BE-së.

“Pavarësisht dallimeve të mëdha që kemi për procesin dhe vështirësive që kemi parë të pakalueshme në mes Kosovës dhe Serbisë, ende ekziston vullneti që ky proces të vazhdojë dhe në muajt e ardhshëm sa kanë mbetur, 6 muaj, të arrihet marrëveshja përfundimtare historike, ajo e normalizimit të marrëdhënieve, e paqes dhe njohjes reciproke në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Sipas tij, presidenti i Serbisë mendon që Kosova është zemra e Serbisë, do të thotë pozicionet janë shumë të largëta.

Thaçi tha se të gjithë në Serbi duhet ta dinë se nuk po diskutohet për pavarësinë, pasi ajo çështje është e përfunduar.

“Ky pozicion i Presidentit Vuçiç është larg realitetit, njerëzit mund të mendojnë se është me presion në opinionit publik atje, por si liderë ne e kemi obligim ta qartësojmë opinionin tonë në përputhshmëri me realitetin që kemi. Kosova është vend sovran dhe i pavarur dhe kushdo që vjen në Serbi duhet ta kuptojë atë dhe pozicioni i Prishtinës është i qartë, marrëveshja përfundimtare duhet të jetë në mes dy vendeve sovrane, asnjë marrëveshje tjetër nuk ka kuptim dhe është e përkohshme dhe të ndodhë njohja formale nga Serbia për shtetin e Kosovës dhe anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, tha ai.

Ai shtoi se duhet të sakrifikojnë për të arritur marrëveshja përfundimtare dhe mos të bien pre e zërave populist të politikave ditore, por që të shikohet nga e ardhmja.

“Mendoj që duhet ta sakrifikojmë populizmin, zërat nacionalist, duhet të mendojmë se nuk sillet bota rreth neve por jemi pjesë e zhvillimeve globale , duhet me ia dit hapin vetit, ne jemi shtet i ri dhe si asnjë shtet tjetër kemi nevojë për përkrahjen ndërkombëtare, duhet të prodhojmë argumente për të fuqizuar mbështetjen ndërkombëtare dhe jo të bëjmë veprime që na izolojnë apo i qesim në lajthitje partnerët tanë ndërkombëtar. Kur thash për sakrificë, sakrifica më e madhe është edhe me u ul me autoritetet e Serbisë. Nuk është Kosova në rrezik nëse arrin marrëveshje me Serbinë të paqes, normalitetit dhe njohjes reciproke. Kosova rrezikohet vetëm nëse nuk lëviz shpejt drejt perspektives euroatlantike. Ne nuk e kemi mandatin si bartës të institucioneve, liderët e partive politike me mbajt gjendjen e statukuosë me potenciale të rrezikshme për të ardhmen“, tha ai.

Thaçi tha se të dy presidentet janë të vetëdijshëm që situata e statukuosë nënkupton mesazhe dhe situata të reja me mundësi destabilizimi, prandaj kanë vendosur që të vazhdon dialogu për hir të së ardhmes./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne