Shqiperia

Haxhinasto: Asnjë sektor i ekonomisë, s’ka një tregues pozitiv të qëndrueshëm në këto shtatë vite

Ish-ministri dhe ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, komenton situatën e vështirë ekonomike që po kalon vendi.

“Që ekonomia jonë ka problem sistemike, nuk është gjë e re. E kanë thënë politikanë e ekspertë, vendas e të huaj. E kanë thënë institucionet ndërkombëtare, veçanërisht FMN dhe Banka Botërore. Sot, duhet të ishim duke analizuar çfarë përmirësimesh iu bënë ekonomisë në këto 7 vite, në drejtim të qëndrueshmërisë e konkurrueshmërisë, rritjes së PBB, të ardhurave dhe pagave, cilësisë së shërbimeve publike, e mbi të gjitha, cilësisë së jetës. Në vend të notave pozitive, marrim çdo ditë të dhëna e raporte se ekonomia është në depresion, se mosrealizimet qindra milionëshe në të ardhurat janë një gjë normale, se investimet e huaja nuk duken asgjëkundi.

Dhe për të konfirmuar këtë gjendje me nivelin e jetesës, vjen edhe studimi i fundit i Revistës Monitor që konkludon se paga për një punësuar në Shqipëri është më e ulta në rajon, rreth 30 % më e ulët se në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Bonjë-Hercegovinë.

Arsyet për nivelin e ulët të pagës janë të shumta: renditen mes tyre informaliteti i ekonomisë, i cili pavarësisht “reformave” të herë-pas-hershme dhe kërcënimeve me “burg”, nuk u arrit të ulej; niveli i prodhimit të përgjithshëm bruto (PPB) për frymë, por më shumë mënyra si ai shpërndahet në të ardhura për qytetarin (pra, që përftues të mos jenë vetëm klientët e qeverisë, por edhe të punësuarit e thjeshtë); mungesa e investimeve të huaja (që nuk do të na vijnë asnjëherë përsa kohë vazhdon të përkeqësohet klima e biznesit) e për të cilat FMN “bërtet” në çdo raport për Shqipërinë; përqindja e të ardhurave si përqindje e PPB, (pra, aftësia për t’i mbledhur taksat, ku përsëri jemi në fund të rajonit), e të tjera, e të tjera, që në dy fjalë përmblidhen: pa-aftësi e keq-qeverisje.

Jam i bindur që mund të dalë ndonjë “avokat i djallit” e të thotë se “OK, pagat janë të ulëta, por kjo tregon se kosto e punës është e ulët, dhe konkurruese”. Do ta besoja këtë argument nëse do shikoja që investitorët e huaj janë “turrur” drejt Shqipërisë, se paskërka punë të lirë. Ndërkohë shikoj se shqiptarët janë të fundit në rajon për nivelin e jetesës, gati 1 në çdo 3 shqiptarë ka vështirësi me pagesat e faturave të ujit dhe dritave, 42% e tyre nuk përballojnë ngrohjen e banesës, 19% e tyre nuk përballojnë blerjen e ushqimeve dhe veshjeve; 64% e tyre nuk bëjnë dot një javë pushim larg shtëpisë së tyre.

Do ta besoja argumentin e “konkurrueshmërisë” nësë ekonomia jonë do kishte nivele eksportesh si përqindje e PPB më të lartë se të fqinjëve, ndërkohë që është fakt që eksportojmë shumë më pak se ata. Do ta besoja se ky nivel pagash është i mirë për shoqërinë në tërësi nëse të ardhurat e investimet do orientoheshin në incentiva e mbështetje për sektoret e rinj të ekonomisë që krijojnë vlerë të lartë, si teknologjia e informacionit, apo agro-përpunimi, apo nga një cilësi më e lartë e shërbimeve jetike për qytetarët, si shëndetësia dhe arsimi. Ndërkohë, është fakt që ne kemi edhe nivelin më të ulët në rajon të pagave në shërbimet publike, shëndetësi e arsim.

Pyetja është e thjeshtë: a mund të themi se ka një sektor të ekonomisë, një tregues pozitiv të qëndrueshëm, një aspekt të cilësisë së jetës së qytetarit të thjeshte të përmirësuar në këto 7 vite? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e dinë të gjithë qytetarë e që padyshim do ta shprehin ditën e votimeve! Deri atëherë, ekonomia jonë, që i ngjan një varke në stuhi e që i është thyer timoni, do të mbesë në mëshirën e keq-qeverisjes dhe pasigurisë”. shprehet Edmond Haxhinasto./Tpz

OPINIONE

INTERVISTA