Rajoni

Heqja e vizave për Kosovën, një delegacion i BE-së viziton këtë javë Prishtinën

Nga e enjtja deri të shtunën pritet që në Kosovë të qëndrojë një delegacion i Bashkimit Evropian për të marrë të dhëna rreth luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kriter i fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Gjatë kësaj jave pritet që në Kosovë të vijë një delegacion i Bashkimit Evropian, i cili do të mbledhë të dhëna nga institucionet e Kosovës lidhur me atë se sa është punuar në përmbushjen e kriterit të fundit për heqjen e vizave.

Kështu ka njoftuar për zëri ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, e cila ka thënë se vizita do të realizohet nga 3-5 maj.

Me këtë rast Hoxha ka bërë të ditur se institucionet tashmë kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme sa i përket kësaj çështjeje, ndërkohë është shprehur e bindur se Kosova do të marrë rezultate pozitive.

Nga ana tjetër, edhe nga Komisioni Evropian kanë pohuar për gazetën se një mision i nivelit teknik shumë shpejt do të jetë prezent në Kosovë.

Por pavarësisht kësaj, nga opozita janë shprehur skeptikë nëse do të ketë lajme të mira pas kësaj vizite.

Kjo pasi, sipas tyre, nuk është punuar sa duhet drejt përmbushjes së kriterit të fundit për heqje të vizave, luftës ndaj krimit të organizuar e korrupsionit.

Megjithatë, ish-ministrja e Drejtësisë ka konsideruar se qytetarët do të munden të lëvizin lirshëm brenda këtij viti.

KE: Një mision i nivelit teknik do të vijë së shpejti

Zyra për informim e Komisioni Evropian ka konfirmuar për “Zërin” se një mision i nivelit teknik shumë shpejt do të vijë për vizitë në Kosovë.

Me këtë rast nga KE-ja kanë bërë të ditur se deri në çastin kur propozimi për vizat do të miratohet në Parlament dhe në Këshill Kosova duhet t’i ketë të përmbushura 95 kushtet, duke përfshirë këtu edhe luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit.

“Në vitin 2016 Komisioni paraqiti propozimin e tij për liberalizimin e vizave për Kosovën. Duhet të kuptohet që deri në ditën e miratimit të këtij propozimi nga Parlamenti dhe Këshilli Kosova duhet ta ketë ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi dhe t’i përforcojë të dhënat e saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit, siç theksohet në deklaratën e përbashkët, vlerësimi vazhdon ende sipas të dhënave të fundit nga autoritetet e Kosovës”, potencohet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Komisionit Evropian.

Hoxha: Vizat do të hiqen brenda këtij viti

Ndërkaq ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka bërë të ditur për “Zërin” se delegacioni i BE-së do të qëndrojë në Kosovë nga 3 deri më 5 maj.

“Delegacioni vlerësues i BE-së do të jetë në Kosovë javën e ardhshme, nga data 3-5 maj. Ata kanë paraparë një agjendë të ngjeshur takimesh me të gjitha institucionet, ku puna e tyre ndërlidhet me zbatimin e kriterit të rasteve të shenjëzuara, ndryshe të njohur edhe si ‘Track Record’, apo lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Ministria e Integrimit ka bërë koordinimin e agjendës me misionin nga BE-ja dhe institucionet tona”, ka deklaruar Hoxha.

Me këtë rast, e para e MIE-së ka thënë se është duke u punuar me të gjitha institucionet në mënyrë që të ketë një prezantim sa më të mirë.

“Edhe javën e kaluar kam pasur takime me të gjitha institucionet që janë të angazhuara drejtpërdrejt në zbatimin e kriterit të luftimit të krimit dhe korrupsionit, që të jemi sa më të përgatitur me rastin e vizitës së këtij misioni vlerësues nga BE-ja. Çdo përpjekje për ta goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin duhet vlerësuar”, ka shtuar ajo.

Ish-ministrja e Drejtësisë më tutje është shprehur e bindur se Kosova do të marrë vlerësim pozitiv sa i përket përmbushjes së kritereve për heqjen e vizave.

“E kam thënë edhe më herët se rruga jonë e vetme drejt integrimit është zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet. Besojmë se puna dhe progresi i institucioneve do të vlerësohet pozitivisht”, ka nënvizuar ajo gjatë bisedës.

Andaj, sipas Hoxhës, qytetarët e Kosovës do të mundë të lëvizin lirshëm brenda vitit 2018.

“Duke u bazuar në dinamikën e procesit të vendimmarrjes nga institucionet e BE-së dhe nga proceset e liberalizimit të vizave që kanë kaluar vendet e rajonit, unë pres që qytetarët tanë të lëvizin të lirë deri në fund të këtij viti. Ne kemi plotësuar 95 kriteret për këtë proces, është bërë punë e madhe dhe me të drejtë presim që izolimi i qytetarëve tanë të marrë fund deri në fund të këtij viti, pra ata të lëvizin të lirë”, është shprehur ajo.

Edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, është shprehur optimiste se Kosova do të marrë lajme pozitive pas vizitës së delegacionit të BE-së në Kosovë.

“Në fillim të muajit maj në Kosovë do të qëndrojë një delegacion i Bashkimit Evropian, i cili do ta vlerësojë punën që është bërë në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, si kriteri i fundit për liberalizimin e vizave. Pres që Kosova të marrë lajme të mira sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, meqë ka pasur rezultate konkrete në ‘track record’. Aktualisht janë 42 raste të shënjestruara të korrupsionit”, ka potencuar Deliu-Kodra në një prononcim për “Zërin”.

Zemaj: Institucionet, të pastrohen nga individët me aktakuza

Kurse Armend Zemaj, anëtar i këtij komisioni nga LDK-ja, ka thënë se në takimet me delegacionin e BE-së do të bëhet çmos që të paraqitet pasqyra e vërtetë mbi atë që është punuar.

“Do të insistojmë nga këto takime ta paraqesim pasqyrën reale, nga e cila nuk do të kemi qartësim të pozicioneve që përcaktojnë datë reale për lëvizjen e lirë, njëherësh duke vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që mund të pengojnë në këtë proces. Zotimet e marra tani duhet të kenë mbikëqyrje permanente ditore nga legjislativi, shoqëria civile dhe mediet në interes të shpejtë që t’i eliminojmë defektet penguese në këtë proces”, është shprehur ai.

Zemaj më tej ka thënë se do të insistohet që institucionet e vendit të pastrohen nga personat me aktakuza.

“Ne do të jemi insistues që njerëzit që pengojnë përmes ndikimit në drejtësi t’i demaskojmë, por edhe të shprehim kërkesën që institucionet tona duhet të pastrohen nga individët me aktakuza dhe me të kaluar të papastër. E gjithë kjo që të mos lëmë vend për zërat kritikë nga BE-ja që Kosova nuk është e gatshme t’i plotësojë kushtet e kërkuara”, ka theksuar ai.

Kollçaku: Kriteri i fundit për viza, vështirë të përmbushet

Duke folur rreth procesit të liberalizimit, Fatmire Kollçaku, anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane nga LVV-ja, ka vlerësuar se kriteri për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit është tejet i vështirë për t’u përmbushur.

“Kriterin që na e kanë përcaktuar, i cili po konsiderohet si kriteri i fundit, me të vërtetë është shumë vështirë të përmbushet, sidomos për shkak të mungesës së vullnetit politik që t’i qasen kësaj teme ashtu siç duhet. Dihet që këtu kemi të bëjmë kryesisht me zyrtarë të lartë që janë të zhytur thellë në krim dhe korrupsion dhe masat që duhet të ndërmerren ndaj shumë zyrtarëve në vend”, ka deklaruar ajo.

Andaj sipas Kollçakut, liberalizim nuk do të ketë as përgjatë këtij viti, sado që edhe LVV-ja do ta donte një gjë të tillë.

Si rrjedhojë, ajo ka konsideruar se kriteri i luftës ndaj krimit të organizuar e korrupsionit nuk do të përmbushet derisa Vetëvendosja të vijë në krye të Qeverisë.

“Nuk kam shpresë që kjo qeveri do ta përmbushë, një qeveri e pakicës nuk ka jetëgjatësi dhe mendimi ynë është që vetëm me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet do të luftohet krimi dhe korrupsioni”, ka nënvizuar nënkryetarja e LVV-së.

Hapat deri te liberalizimi

Ndërkohë Albana Merja, njohëse e procesit të integrimit dhe liberalizimit, ka konsideruar se liberalizimi i vizave për Kosovën aktualisht është në një pikë tejet të rëndësishme, që sipas saj kërkon përpjekje serioze nga institucionet (për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit).

Pos kësaj, sipas Merjës, duhet të arrihet edhe një konsensus në institucionet e BE-së sa i përket finalizimit të liberalizimit.

“Kërkohet të arrihet një vendimmarrje e përbashkët në Parlamentin Evropian, si dhe një konsensus politik në Këshillin e BE-së, pasi megjithëse liberalizimi i vizave kërkon miratim në Këshill me shumicë të kualifikuar (që nënkupton një shumicë prej 55% të shteteve anëtare të cilat përfaqësojnë 65% të popullsisë së BE-së në total) është shumë e vështirë që ky ndryshim të kalojë pa u arritur konsensusi politik me të gjitha vendet anëtare, sepse është pjesë e politikës së sigurisë për të cilat këto vende janë shumë të ndjeshme”, ka deklaruar ajo.

Merja më tej ka bërë të ditur se vendimi për heqjen e vizave duhet të kalojë nëpër disa instanca të BE-së, ku pas miratimit në tërësi mund të hyjë në fuqi pas 20 ditësh.

“Në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat duhet amendamentuar rregullorja nr. 593/2001, në të cilën renditen vendet e treta, shtetasit të cilëve u nevojitet vizë për të hyrë në zonën Schengen. Nëse propozimi i Komisionit votohet në seancë plenare me shumicë të kualifikuar në Parlamentin Evropian, si dhe miratohet nga Këshilli me procedurën e mësipërme, atëherë vendimi hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit në fletoren zyrtare të BE-së. Në mënyrë që rekomandimi i Komisionit të bëhet pjesë e agjendës së Parlamentit duhet që të merret vlerësim pozitiv për përmbushjen e kriterit të fundit”, ka sqaruar ajo.

Krejt në fund, Merja ka konsideruar se vëmendja e institucioneve gjatë këtyre muajve duhet të jetë në vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta.

OPINIONE