Heroi i Turqisë: Omer Halisdemir u vra me dy plumba teksa ishte i plagosur

ANKARA  – Në Turqi ka vazhduar procesi gjyqësor kundër puçistëve të organizatës terroriste FETO, të cilët në natën e 15 korrikut të vitit të kaluar vranë komandantin e Forcave Speciale, nënoficerin Omer Halisdemir, i cili para se të vritej kishte vrarë një nga udhëheqësit e grusht-shtetit, gjeneral brigade Semih Terzi dhe kështu ia ndryshoi rrjedhën tentimit të puçit, raporton Anadolu Agency .

Seancat mbahen në Gjykatën Penale në Ankara, ku gjithsej 18 të akuzuar ndiqen penalisht për shkak të zhvillimeve në Komandën e Forcave Speciale në Ankara gjatë tentimit të grusht shtetit.

Në seancën e sotme të pranishëm ishin të akuzuarit, ekipet e avokatëve, familja e nënoficerit të vrarë Halisdemir dhe nënkryetar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) Revza Kavakci, disa parlamentarë dhe përfaqësues të sektorit joqeveritar.

Avokati Alaaddin Varol gjatë marrjes në pyetje, të pandehurin Hasan Aksoy e pyeti të shpjegojë se si e njihte nënkolonelin Halisdemir dhe çfarë kishte biseduar Halisdemir me puçistin Trezi gjatë hyrjes së tij në komandë.

“Omer Halisdemir e kam njohur në vitin 2013 në kurs. Nënoficeri Omer, atë natë, nuk më pyeti se çfarë po bënim në komandë. Ai më pyeti se nga kemi ardhur dhe çfarë po ndodhte në Dijarbakir. I thashë se nuk dija asgjë. Ne ishim në fund të grupit dhe Omeri atëherë vrapoi në krye të grupit dhe qëndroi pranë komandantit”, tha i akuzuari Aksoy.

Ai më tej tha se dëgjoi të shtënat, pas të cilave edhe komandanti i akuzuar i Batalionit, Fatih Sahin urdhëroi të hapet zjarr dhe pa dikë që vraponte në shkurre.

“Pas të shtënave Sahini bërtiti se ishte në rregull dhe se objektivi ishte neutralizuar, ishte vrarë. Kur u afrova, pashë që Terzi ishte qëlluar. Të gjithë ishim në shok. E morën Terzinë në ndërtesë, dhe pastaj Mihrail Atmaca urdhëroi të merren masa. Pastaj nënoficerin Omer e tërhoqëm nga këmbët dhe e strehuam. Nuk kishte ndonjë qëllim të keq, kështu veprohet edhe në operacione të tjera ushtarake”, tha Aksoy.

Duke shtuar se kapiteni Volkan Vural Bal kontrolloi pulsin e nënoficerit të qëlluar Halisdemir, Aksoy tha se më pas erdhi emergjenca dhe se kishte sugjeruar kapitenin Volkan që ta çonte Omerin në spital.

“Një ushtar tha se ndjente pulsin e nënoficerit Omer. Shikova në derë dhe në atë moment dëgjova dy të shtëna. U ktheva dhe pashë togerin Mihrail duke kthyer armën në këllëf”, tha Aksoy.

Omer Halisdemir ka lindur në vitin 1974 në qytetin Nide. Ai humbi jetën natën e tentimit të dështuar të grusht shtetit në Ankara, në komandën e forcave speciale. Edhe pse një nënoficer, ai ndaloi gjeneralin e brigadës Semih Terzi, i cili ishte në radhët e puçistëve të organizatës terroriste FETO dhe që kishte ardhur për të marrë komandën.

Halisdemir e qëlloi atë në kokë, pas së cilës edhe ai u vra nga oficerët që shoqëronin Terziun. Ai u bë simbol i rezistencës ndaj puçistëve.

 

 

 

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne