Shqiperia

Hetime në Rinas pas gjetjes së pakove me pjesë armësh luftarake

Policia e Shtetit njoftoi të premten se punonjësit e aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit kishin konstatuar pako të dyshimta gjatë skanimit që po u bëheshin objekteve që do të transportoheshin në një avion të linjës Tiranë-Athinë-Londër.

Policia sqaroi më pas se bëhej fjalë për tre pako të veçanta, brenda së cilës dyshohet se ndodheshin pjesët e një arme automatike të llojit kallashnikov.

Sipas njoftimit për shtyp të policisë, pakot e dyshimta u gjetën rreth orës 15:40 të së premtes, gjatë skanimit të tre pakove të kompanisë postare DHL.

“Në Pikën e Kontrollit Kufitar Rinas, nga punonjësit e kompanisë “ICTS” gjatë skanimit të tre pakove të kompanisë postare “DHL”, transit kanë konstatuar pjesë armësh luftarake,” thuhet në deklaratën e policisë.

Pas gjetjes së pakove të dyshimta, hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje janë marrë përsipër nga agjentët e antiterrorit dhe prokurorë të Krimeve të Rënda. Gjithashtu, burime zyrtare të Policisë së Shtetit i thanë BIRN se hetimi po kryhet në bashkëpunim me organet ligjzbatuese të vendeve homologe si Greqia dhe Britania e Madhe-të cilat dyshohen si destinacione të mundshme.

Nga hetimet paraprake rezulton se emri i përdorur për të postuar pakot me pjesë armësh është i rremë dhe po ashtu dyshohet të jetë adresa dhe emri i personit pritës në Britani.

Policia e Shtetit informoi se zbulimi i pakove të dyshimta nëpërmjet linjës ajrore u arrit falë masave të  shtuara Antiterror.

Policia shqiptare ka shtrënguar masat e sigurisë, pas sulmit të fundit terrorist në Barcelonë dhe kërcënimeve të Shtetit Islamik se do të ndërmarrë një valë të re sulmesh në Europë.

“Në vazhdim do të ketë një prani të shtuar të punonjësve të policisë dhe agjentëve, ndërsa masa të rrepta sigurie dhe kontrolle do të kryhen në vendet ku ka grumbullim njerëzish…,” deklaroi policia të enjten përmes një njoftimi.

Kontrolle të shtuara u paralajmëruan edhe në pikat kufitare, ndërkohë që Policia deklaroi se po punonte ngushtësisht me strukturat antiterror për të mbajtur nën vëzhgim persona me rrezikshmëri të lartë apo të radikalizuar.

OPINIONE