Hetimi i koncesioneve të shëndetësisë mbyllet me vetëm një pyetje

Nga Klodian Tomorri

Qeveria ka dhënë 4 koncesione në sektorin e shëndetësisë. Por mjaftojnë dy prej tyre për të shpjeguar atë se çfarë ka ndodhur; sterilizimi dhe Check-Upi.

Kontrata koncesionare e sterilizimit parashikon kryerjen e 63 mijë ndërhyrjeve kirurgjikale në vit. Për çdo operacion shteti i paguan koncesionarit privat një çmim që varion nga 13.9 mijë lekë deri në 37.7 mijë lekë, në varësi të kompleksitetit të ndërhyrjes dhe pajisjeve që kërkohen. Dhe sipas numrit të parashikuar të ndërhyrjeve kontrata e koncesionit parashikonte që qeveria do t’i paguante privatit 1.5 miliardë lekë çdo vit.

Koncesioni i dytë ai i Check-Upit parashikon kryerjen e kontrollit mjekësor për 475 mijë vetë në vit. Për çdo qytetar që kontrollohet qeveria i paguan koncesionarit privat 1800 lekë së bashku me tatimin mbi vlerën e shtuar. Dhe në bazë të numrit të parashikuar të kontrolleve prej 475 mijë vetësh në vit, kontrata e koncesionit parashikon që qeveria t’i paguajë kompanisë private 876 milionë lekë në vit.

Por çfarë ka ndodhur?

Tek të dy koncesionet u materializua risku i kërkesës, por në një mënyrë shumë interesante. Në rastin e sterilizimit, numri faktik i operacioneve rezultoi shumë më i lartë nga sa ishte firmosur në kontratën e koncesionit, ndërsa në rastin e Check-Up it ndodhi e kundërta. Numri i qytetarëve që kontrollohen në një vit është shumë më i ulët se shifra 475 mijë vetë që ishte parashikuar në kontratë. Saktësisht është rreth 350 mijë vetë.

Çfarë ka bërë Ministria e Shëndetësisë?

Për koncesionin e parë, meqënëse numri i operacioneve ka rezultuar shumë më i lartë se ai që ishte parashikuar në kontratë, Ministria e Shëndetësisë thotë që unë nuk do të respektoj tavanin 1.5 miliardë lekë në vit të kontratës, por do ta paguaj privatin me çmim për njësi. Dmth për çdo operacion që kryhet buxheti I paguan koncesionarit 22.3 mijë lekë. Meqë numri i operacioneve është më i lartë nga sa ishte parashikuar në kontratë, fatura që buxheti i paguan privatit ka kërcyer në 2 miliardë lekë në vit nga 1.5 miliardë që ishte parashikuar në kontratë.

Për koncesionin e dytë Ministria e Shëndetësisë bën të kundërtën. Meqë numri i qytetarëve që shkojnë e bëjnë kontrollin mjekësor është shumë më i ulët se shifra 475 mijë vetë që ishte parashikuar në marrëveshjen koncesionare, Ministria thotë që unë nuk do ta paguaj koncesionarin privat me çmim për njësi sepse për 350 mijë kontrollet që kryhen ai i bie të marrë vetëm 630 milionë lekë në vit. Ndaj- thotë Ministria- unë jam e detyruar të paguajë vlerën tavan, pra 876 milionë lekë në vit siç është parashikuar në kontratë.

E njëjta ministri, e njëjta situatë, i njëjti format kontrate dy zgjidhje të kundërta. Tek e para meqë dolën më shumë operacione nga parashikimi paguajnë me çmim për njësi. Tek i dyti meqë dolën më pak qytetarë që kontrollohen nga sa ishte parashikuar, nuk paguhet me çmim për njësi, por vlera tavan e vendosur në kontratë.

Ky është hetim me vetëm një pyetje. Pse tek sterilizimi paguani çmim për njësi, ndërsa tek Check Up-i nuk paguani me çmim për njësi? Ky është hetimi penal më I lehtë në botë. Mjafton vetëm një pyetje. Asgjë më tepër./Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne