Hetimi në Universitetin e Tiranës, prokuroria merr dosjen e prokurimeve publike

Të dy profesorët, Mynyr Koni dhe Dhori Kule e kanë mirëpritur hetimin e nisur nga Krimet e Rënda.
Ndërkohë Prokuroria ka marrë të gjitha dosjet e tenderave të zhvilluara në Universitetin e Tiranës.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar të gjitha praktikat e tenderave të zhvilluar në vite nga rektorati në Universitetin e Tiranës.

Ndërkohë që çështja është marrë në dorëzim nga dy prokurorë të Krimeve të Rënda, të cilët po hetojnë të veçuar nga njëri-tjetri rektorin Mynyr Koni dhe dekanin e ekonomikut Dhori Kule.

Hetimet po zhvillohen për dyshimet e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës duke iu referuar kallëzimeve të të dyja palëve, të cilat prej kohësh po akuzojnë për abuzime me detyrën. Në valën e hetimeve nga Krimet e Rënda, dekani Dhori Kule reagoi duke u shprehur mbështetje për organin e akuzës

“Nga mediat kam dëgjuar, nuk e di. Jam i hapur për kohën që kam qenë unë dhe për ata që kanë qenë para meje. Nuk kam bërë dhe nuk kam ndërmend të bëj kallëzim penal. Të evidentohen problemet e anës financiare, problemet e punësimit. Janë firmosur kontrata në spital, në kushte kur nuk ka të drejtë rektori të firmosë. UT nuk ka qenë në historinë e tij në paligjshmërinë e këtij lloji”, deklaroi Dhori Kule.

“Edhe rektori Mynyr Koni ka reaguar për hetimet përmes një deklarate: “Bazuar në publikimet në media ditën e mërkurë datë 18.04.2018, shpreh mbështetjen personale dhe institucionale për hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Gjithashtu i bëj thirrje Prokurorisë së Krimeve të Rënda të ndërmarrin një hetim të plotë, të shpejtë dhe të thelluar. Në mënyrë të përsëritur, I bëj kërkesë organeve kompetente të drejtësisë të ndërmarrin një hetim të plotë mbi të gjithë aktivitetin financiar të Universitetit të Tiranës në 10 vitet e fundit deri në ditën e sotme”.

Miqësia e dy profesorëve mori fund një vit më parë, për arsye që nuk dihen. Madje Dhori Kule ishte njëri nga mbështetësit e Mynyr Konit gjatë garës për rektoratin, një proces gjatë të cilit doli në skenë edhe emri i Emiliano Shullazit. Por të dy profesorët ndryshe nga qëndrimet publike që mbajtën, në prokurori edhe në gjykate dhanë një version tjetër.

Ata rrëfyen se nuk e njihnin Shullazin dhe se nuk dinin kush i kishte kërcënuar./ lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne