Hije skandali mbi Komisionerin Dervishi, i përfshirë në afera pronash në Dhërmi

Në maj 2017, gazeta prestigjioze “The Guardian” e ka renditur plazhin shqiptar Drimadhes në Dhërmi, si një prej plazheve më të bukura të Europës. I shtrirë në shpat mali, Dhërmiu gjendet 210 km nga Tirana dhe 72 km nga Saranda dhe ka 5 km bregdet.

Drimadhes, plazhi historik i lagjes Gjilek të Dhërmiut konsiderohet si zemra e gjithë basenit mesdhetar, ku deti Jon dhe klima që krijohet në këtë pjesë të Mesdheut ka një veçanti që shumë studiues, që në kohët e lashta, e kanë vlerësuar si vendin e ajrit dhe ujit të bekuar.

Në 6 qershor 2017, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi dhe biznesmeni nga Vlora, Jorgji Ruci krijuan shoqërinë “Drymades Dream” sh.p.k.

Shoqëria me ortakëri dhe kapital të barabartë, sipas të dhënave të regjistrimit tregtar, është krijuar që, të importojë dhe eksportojë artikuj ushqimorë, fruta-perime; të prodhojë e montojë vetrata, dyer dhe dritare; të hapë agjenci doganore, agjenci informacioni dhe agjenci turistike, por të bëjë edhe investimeve në fushën e ndërtimit, duke kryer të gjitha llojet e punimeve si: suvatime, punime armature, përpunime hekuri, ndërtimin e rrugëve e të veprave të artit të përfshira në to, papërjashtuar ndërtimin e autostradave.

Toka përballë detit në Drimadhes

Zyra qendrore e shoqërisë Drymades Dream, deklarohet nga dy krijuesit e saj, se ndodhet në “Vlorë-Dhërmi, Zona Kadastrale Nr.1739, pasuria Nr.198”. Shihet qartë që nuk është një adresë, por një referencë kadastrale që vlen vetëm për regjistrat e hipotekës.

Të dhënat e regjistrit tregtar (QKB) tregojnë se ortaku Jorgji Ruci i dhuron shoqërisë një truall me sipërfaqe 4700 m2 që është pikërisht pasuria me referencat e regjistruara si Zyra qendrore e shoqërisë “Drymades Dream” sh.p.k.

Besnik Dervishi, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, zgjodhi vendin më piktoresk dhe turistik për të krijuar shoqërinë e “ëndrrave” me ortakun e tij dhe për të marrë vendimet e duhura për ndërtimin e një kompleksi turistik.

Ai dhe partneri në biznes, zgjodhën plazhin e bukur dhe të rrallë të Drimadhes, 100 metra larg hotelit me 5 yje “Morina Palace” buzë bregut të kaltër te detit Jon.

Shembuj të abuzimit me pushtetin, apo me ushtrimin e aktivitetit privat tregtar hasen çdo ditë, në 27 vitet e demokracisë sonë të brishtë, por shembullin se si adresa e një biznesi gjendet në një breg deti me gurë të bardhë, ullinj të lashtë dhe pa asnjë objekt mbi të, e ndeshim për herë të parë. Këtë risi të ushtrimit dhe adresimit të aktivitetit në plazh e sjell shoqëria e Komisionerit Besnik Dervishi, “Drymades Dream” sh.p.k.

Adresa dhe ushtrimi i aktivitetit janë më e pakta që mund të tregohen në një histori që të bën pronar të 4700 m2 toke në buzë të detit Jon dhe në zemër të Dhërmiut – Drimadhes, pa asnjë mundim, e cila fillon me disa mijëra euro dhe pretendon miliona më pas.

Historik i shkurtër i pronës 4700 m2 në Drimadhes

Ekstrakt nga QKR i themelimit të Shoqërisë me ortakë Besnik Dervishi dhe Jorgji Ruci

Me një vendim të gjykatës së Vlorës, në 12 dhjetor 2013, Spiro Ruci nga Gjileku i Dhërmiut bëhet pronar i 3520 m2 tokë, pasi më parë me Ligjin Nr. 7501 kishte përfituar sipërfaqen prej 1280 m2 tokë ullishte në vendin e quajtur Gajtanika (vetulla e bregut), në Drimadhes.

Spiro Ruci, pretendon se tokën e kishte të tijën duke paditur Bashkinë Himarë, e cila e kishte në pronësi deri ditën e vendimit të gjykatës. Edhe pse pa një titull pronësie, Spiro Ruci shpallet pronar me vendim gjykate sipas një parimi të fitimit të pronësisë me parashkrim fitues kur ke një pronë në posedim mbi 20 vjet.

Tre dëshmitarë nga fshati Dhërmi, njëri prej të cilëve “qëlloi” të ishte vetë topografi i Bashkisë Himarë, kur vetë Bashkia Himarë ishte në mungesë gjatë gjykimit, i deklaruan gjykatës se bashkëfshatari i tyre Spiro Ruci e ka patur gjithnjë në posedim tokën ullishte buzë detit për më shumë se 20 vite.

Nuk ka të dhëna të qarta nëse Spiro Ruci ka jetuar në Greqi apo Shqipëri, por Gjykata e Vlorës vendosi që ta quante pronar të ligjshëm të tokës ullishte, pasi Bashkia e Himarës nga ana e saj në mungesë, nuk pretendoi asnjë kundërshti në procesin gjyqësor, madje nuk e ankimoi fare vendimin e gjykatës, i cili mori formë të prerë në 24.1.2014.

Spiro Ruci bëhet pronar i 4700 m2 në Drimadhes dhe e regjistron pronën e tij në zyrën hipotekore në Vlorë në 17.2.2014.

Në 5 Mars 2014, Spiro Ruci e shet tokën te Florenc Gjikuria dhe ky i fundit më 7 Maj 2014, e shet përsëri tokën ullishte te Jorgji Ruci me një çmim prej 28.000 euro.

Spiro Ruci, biznesmen nga qyteti i Vlorës, pasi krijon shoqërinë “Drymades Dream” në 6 qershor 2017 me ortakun e tij Besnik Dervishi, e dhuron tokën ullishte 4700 m2 te shoqëria që krijoi dhe administron vetë, si kontribut në natyrë për rritjen e vlerës së kuotave të shoqërisë.

Ortaku tjetër Besnik Dervishi supozohet se ka paguar 28.000 euro për kontributin e tij me 50% në kuota ndaj shoqërisë, si kapital që do nevoitej për zmadhimin e kapitalit të shoqërisë për të ndërtuar një kompleks shërbimi hotelerie mbi token e dhuruar.

 Aplikimi, pushteti, abuzimi

Nga investigimi i kryer në institucionet shtetërore, shoqëria “Drymades Dream” me numër unik L76812205F nuk ka kryer asnjë aktivitet që prej krijimit të saj dhe nuk ka realizuar asnjë shërbim duke prerë fatura ndaj të cilave do aplikohej TVSH.

Ortakët e saj kanë marrë vendim për zmadhim kapitali, edhe pse nuk kishin një zyrë ku të uleshin, zyrë ku një shoqëri mban dokumentat dhe shërben për komunikimin zyrtar, e cila lidhet me te dhënat e treguara në ekstraktin e regjistrit tregtar për “Drymades Dream” sh.p.k. Si shoqëri tregtare me gamë aktiviteti shumëdimensional, “Drymades Dream” nuk ka patur asnjë të punësuar për muaj me rradhë, përveç administratorit të saj Jorgji Ruci, i cili ka deklaruar një pagë bruto prej 24,000 lekë ne muaj.

Në fundin e vitit 2017, shoqëria sipas të dhënave që tregon faqja zyrtare e Agjensisë së Zhvillimit të Territorit – Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), ka aplikuar që t’i aprovohet një leje ndërtimi për ndërtimin e vilave 2 katëshe, sipas një profili hotelerie në truallin ullishte në pronësi të saj, 4700 m2, Drimadhe – Dhërmi.

Nga të gjitha të dhënat e mbledhura, rezulton se dy “gjeni” të sipërmarrjes së lirë, ku njëri është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë për të garantuar mbrojtjen e të dhënave që lidhen me privatësinë e qytetarëve, kanë aplikuar për të ndërtuar një kompleks hotelerie në vendin më të lakmuar të fshatit Dhërmi, në Drimadhes, pa patur as edhe një zyre ose seli aktiviteti, apo staf që ta ushtronin atë.

Toka ullishte prej 4700 m2 në vendin e quajtur “Gajtanika” apo vetulla e Dhërmiut, e blerë për 28.000 euro vetëm 100 metra larg hotelit më luksoz me 5 yje “Morina Palace”, në vendin bregdetar më të preferuar të pushuesve shqiptarë dhe të huaj, nga të dhënat imobiliare të zonës rezulton se ka një vlere mbi 500.000 euro në shitje dhe blerje reale.

Ndërsa, vlera e vilave të ndërtimit të parashikuara në një zonë të tillë ndërtimore, e kalojnë shifrën e 3 milion eurove në shitje. Shumë pyetje që kërkojnë përgjigje nga autoritetet ligjzbatuese renditen në këtë fabul me dy “biznesmenë” që s’kanë zyra, por kanë plane të ndërtojnë një kompleks pushimi shumëmilionesh buzë detit Jon.

Komisioneri apo bisnesmeni Besnik Dervishi?!

Në muajin dhjetor të vitit 2017, një gazetar publikoi në faqen e tij në Facebook një status, i cili në morinë e ngjarjeve të shumta të politikës shqiptare, kaloi pa u vënë re dhe nuk alertoi asnjë institucion, në veçanti Kuvendin e Shqipërisë.

Gazetari, evidentoi faktin se funksioni i Komisionerit Dervishi është i papajtueshëm me çdo funksion apo veprimtari tjetër, veç asaj të mësimdhënies. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është një funksionar publik që zgjidhet nga Kuvendi me propozimin e Këshillit të Ministrave, për një mandat 5-vjeçar dhe cilësohet si “gardiani” i respektimit të dy ligjeve: ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” dhe ligjit Nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Për vetë rëndësinë që ka ky funksion në sytë e qytetarëve dhe publikut, ligji ka parashikuar edhe papajtueshmërinë e këtij funksionit të komisionerit të zgjedhur me aktivitete të tjera.

Besnik Dervishi

Sipas nenit 34, të ligjit Nr. 9887/2008, “Funksioni i komisionerit është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër shtetëror, me anëtarësimin në partitë politike dhe pjesëmarrjen në veprimtaritë e tyre, si dhe me çdo veprimtari tjetër fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies.”

Për ta përforcuar rëndësinë e këtij neni, i njëjti ligj në nenin 36, parashikon edhe rastet e mbarimit të mandatit të Komisionerit para kohe, ku sipas pikës 2, germa “c” të këtij neni, përcaktohet se “Komisioneri mund të shkarkohet nga Kuvendi, kur zbulohen raste të papajtueshmërisë së funksionit të tij”.

Shoqëria tregtare “Drymades Dream” sh.p.k., me ortak, kontribuues dhe përfitues me 50% të fitimeve të saj, Komisionerin Besnik Dervishi, nuk i thotë asgjë ligjëvënësve shqiptare apo qeverisë që e propozoi për të qenë në një post ku çdo veprimtari fitimprurëse është e papranueshme.

Sot, kompleksi “Drymades Dream” nuk është ndërtuar ende, për të marrë formën e kërkuar nga pushuesit e plazhit të mrekullueshëm të Dhërmiut, ku më pas të gjithë të kuptojnë nëse Besniku është Komisioner apo biznesmen.

Deri atëherë, do kenë rrjedhur shumë ujëra, jo vetëm në detin Jon, por edhe në sferat e vrullshme të jetës në Shqipëri, ku ndodhitë me komisionerë dhe biznesmenë të bregdetit, do kujtohen dhe shkruhen si histori banale apo ndoshta, si kronika penale.

Botuar nga Dita

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne